Komisioni Europian ka shuar zërat për mundësinë e rikthimit të vizave. Zyra për shtyp e Komisionit Europian, është shprehur se nuk mund të ketë rikthim vizash për Shqipërinë. Po ashtu, Komisioni Europian, bën me dije se Shqipëria po ashtu edhe vendet e tjera vijojnë që të përmbushin kërkesat e Bashkimit Europian.
“Pozicioni i Komisionit Europian është shprehur shumë qartë në raportin që botuam, më 4 gusht. Raporti përfundon se të gjitha vendet vazhdojnë të përmbushin kërkesat për liberalizimin e vizave dhe kanë bërë përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, raporti nxjerr në pah fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme nga secili vend”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian. Megjithatë, Komisioni Europian, në reagim njofton se Shqipëria, si dhe vendet e tjera që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave do të mbahen në monitorim.
“Komisioni do të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Përtej kësaj, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë për ndonjë dokument (të supozuar) të rrjedhur ose për pozicionet e shteteve anëtare gjatë diskutimeve të nivelit teknik në Këshill”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian.
Ndërkohë, diskutimet mbi mundësinë e rikthimit të vizave erdhën pas publikimit të një raporti të Këshillit të Bashkimit Evropian, publikuar pak ditë më parë, ku flitej mbi një shqetësim në rritje të abuzimeve me lëvizjen e lirë afatshkurtër në zonën Shengen nga shtetet e Partneritetit të Lindjes dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Francës kërkuan nga BE të rishikojë lëvizjen pa viza të disa shteteve, përfshi Shqipërinë, për shkak të abuzimeve nga shtetasit e këtyre vendeve. Një dokument i hartuar nga institucionet e Unionit, tregon shqetësimet në rritje në lidhje me qëndrimet e paligjshme dhe kërkesat e pabaza për azil nga qytetarët e këtyre vendeve.
Sipas dokumentit, Gjermania e sheh Shqipërinë si një nga vendet më problematike lidhur me abuzimin e marrëveshjes për heqjen e regjimit të vizave. Franca po ashtu, shprehet e shqetësuar nga shqiptarët që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme pasi hyjnë në vend pa viza dhe më pas kërkojnë azil të paarsyetuar. Italia dhe Belgjika janë në mesin e vendeve që kërkojnë rishikim të regjimit të vizave. Por, përveç Shqipërisë, vende të tjera të cilësuara problematike janë Serbia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.
Sipas rregullores mbi regjimin e vizave, kriter penalizues është kur numri i azilkërkuesve është i madh dhe kur në të njëjtën kohë shteti prej nga vijnë këto kërkesa nuk bashkëpunon për riatdhesimet e azilkërkuesve, gjë që në fakt nuk ka ndodhur me Shqipërinë, ku në mënyrë të vazhdueshme riatdhesohen persona që kërkojnë azil pa plotësuar kriteret. Edhe në rastet kur shteti nuk bashkëpunon, atij i lihet një afat 6 mujor për të reflektuar, dhe vetëm në rastet kur sërish bashkëpunimi për riatdhesime mungon, atëherë mund të ketë penalizime.
Diskutime rreth kësaj post