Partia Demokratike pritet të çojë sot në Kushtetuese çështjen “Becchetti”. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi dje në një deklaratë nga selia blu akuzoi kryeministrin Edi Rama se për shkak të luftës së tij personale, po detyron shqiptarët që t’i paguajnë 120 milionë euro, Francesco Becchettit. Korreshi tha se një vendim i tillë i godet të gjithë pa diskriminim për të paguar shpërdorimin që i bëri kryeministri shtetit shqiptar. Sipas deputetit, qeveria dhe kryeministri janë shkaktarët që penguan ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me këtë çështje.
“Tashmë është botërisht e ditur, që qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë 120 milionë euro Francesco Becchettit, për shkak të luftës personale që Edi Rama i shpalli këtij sipërmarrësi. Edi Rama gënjen në mënyrë të përsëritur, sepse ai e di që bashkë me sejmenët e tij, janë përgjegjësit kryesor të dëmit që i kanë shkaktuar çdo qytetari shqiptar, me gjobën 120 milionë euro, e cila godet të gjithë pa diskriminim, do të paguajnë për shpërdorimin që Edi Rama i bëri shtetit shqiptar për të mbyllur një media kritike ndaj tij. Kjo është edhe arsyeja pse përgjegjësit po pengojnë të drejtën kushtetuese të PD për të ngritur komisionin hetimor me pretendimin që vendimi na qenkësh top sekret”, tha ai.
Po ashtu deputeti deklaroi se sot PD do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit lidhur me pengesën për të hetuar çështjen Becchetti.
“Këto pretendime qesharake nuk do ta ndalin kërkesën tonë legjitime, ndaj ditën e nesërme Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për të mos lejuar opozitën të ushtrojë një përgjegjësi kushtetuese dhe për të hetuar një aferë personale të Edi Ramës që u ka shkaktuar qytetarëve shqiptarë 120 milionë euro dëm. Ngritja e komisionit hetimor është e pashmangshme, Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që përgjegjësit për këtë aferë 120 milionë euroshe të shkojnë përpara drejtësisë”, deklaroi PD.
Nga ana tjetër, vijon ngërçi për çështjen e inceneratorëve. Partia Socialiste duket se nuk është dakord lidhur me ngritjen e këtij komisioni dhe pritet që të kërkojë ndryshimin e objektit të hetimit dhe emrit të këtij komisioni. Ndërkohë mësohet se nëse Kuvendi nuk e miraton as këtë javë kërkesën për ngritjen e një komisioni për inceneratorët, PD do të vijojë me padi në Kushtetuese edhe për këtë çështje. Ndërkohë kreu i PD, Lulzim Basha, ka vijuar me akuzat në lidhje me këtë gjë ku u shpreh se qeveria po përpiqet të pengojë punën e komisioneve por nuk do t’ia arrijë dot. Basha tha se Rama po përpiqet të sabotojë komisionin për masakrën zgjedhore por sipas tij nuk do ia dalë dhe me dy të tjerët.
“Në aksion politik në shtator kemi kërkuar 3 komisione hetimore, një për masakrën zgjedhore, një për inceneratorët dhe një për çështjen Becchetti. Mbetet prioritet absolut i yni dhe do vazhdojmë. Nuk do lejojmë të ndalet puna për masakrën. Edhe në këtë rast, siç po përpiqet të sabotojë atë për masakrën zgjedhore dhe nuk ka për t’ia dalë, nuk do ia dalë dhe me dy të tjerët. Mjedisin e ndotim siç bëjmë gjatë verës që çojmë paratë te inceneratorët. Me të njëjtën lehtësi që i vunë flakën mbetjeve në disa qytete për të justifikuar firmat e kryetarëve , me të njëjtën lehtësi mendojnë se mund të ndalin punën e këtyre komisioneve”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post