Komedia “Martesa” do të vijë plot ritëm për publikun në Tiranë, me regji nga Driada Dervishi, një lojë e madhe gazmore, një dasëm ku do ti gjeni të gjithë.
Një nuse qeflie, dhe një dhëndër koprac, një vejushë që është betuar të mbajë zi por bie prapë në dashuri, një propozim për martesë, një martesë e konsumuar, një martesë e kurdisur.
Vepra e autorit Anton Çehov, me regji nga Driada Dervishi vjen për tre mbrëmje me radhë në datat 21, 22 dhe 23 maj në orën 19:30 te amfiteatri i liqenit të Tiranës.
Produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, një shfaqje e suksesshme që ka fituar disa çmime.
“Regjia më e mirë” në festivalin “KokoFest 2016” në Korçë; “Aktorja më e mirë jo protagoniste” Adelina Muça në “Koko Fest” po në 2016, çmimi i publikut në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On” në vitin e kaluar si dhe pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Bursa këtë vit. Në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma. Pas prezantimit më parë në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, komedia “Martesa” do të jetë këtë muaj në Tiranë ku teatri i Durrësit shprehet se nuk duhet humbur. “Një dasëm ku nuk duhet të mungoni”, thuhet nga teatri, që ka bërë me dije dhe datat kur do të jetë në Tiranë shfaqja teatrore.
Pesë pjesët në komedi:
Komedi është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën. Një nostalgji lirike, që përshkruan gjithë krijimtarinë e dramaturgut të mirënjohur rus Anton Çehov, e cila vjen nën regjinë e Driada Dervishit duke pasur parasysh interesimin e publikut. Më herët regjisorja Dervishi shprehej se komedia përmes 5 pjesëve nga Çehov vjen plot ritëm. “Në çdo pjesë në komedi ka 1-2 protagonistë kryesorë, është marrëdhënia mes çiftit, etj. Nuk janë vepra të lehta, sepse ka dhe momente të reflektimit apo ngrihen probleme të ditës, ndërsa kjo komedi vjen përmes një loje gazmore”, tregon Driada Dervishi. Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja. Koreograf Elton Cefa, drejtor fotografia Daniel Dervishi, kostumografia Driada Dervishi dhe Adelina Muça. Udhëheqëse vokale mazzo-soprano Olta Juba.
Diskutime rreth kësaj post