Koloneli i njohur Myslim Pashaj, që denoncoi marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në vitin 2009, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar për debatin e nisur në ditët e fundit në lidhje ambicien greke për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon.
Pashaj tregon se përse një dëshirë e tillë greke mund të cenojë ujërat territoriale të Shqipërisë. Ai thotë se për ndarjen e kufirit siç u bë në vitin 2009, por edhe tani, në përcaktimin e 12 miljeve nuk duhet të merren mikroishujt shkëmborë të pabanuar.
Duke marrë si shembull shkëmbin e Barketës, shumë i diskutuar edhe në vitin 2009, Pashaj thotë se ai nuk mund të merret si pikë për të filluar matjen e 12 miljeve detare që kërkon Athina zyrtare. Koloneli Myslim Pashaj ka edhe një kritikë për grupin negociator që po punon për ndarjen e kufirit detar shqiptaro-grek, pasi sipas tij duhet të ketë ekspertë të nivelit të lartë dhe me përgjegjshmëri të lartë kombëtare.
Ja se çfarë më tej shkruan koloneli i njohur i detrave shqiptarë: Një diplomat i ri artikulon me buzëqeshje se “zgjerimi me 12 milje detare, asgjë e re për Shqipërinë”. Atëherë, unë do t’u thosha shqiptarëve që të shikojnë atë hartë që bashkëshoqëron ligjërimin e Ministrisë së Jashtme, ku është vizatuar e drejta e 12 miljeve detare dhe avancimi nga 6 milje detare në 12 milje detare. Në vitin 2009, deti u nda me një pakt që tanimë është i përmbysur. Para 11 vjetësh, Greqia dhe Shqipëria njihnin në detin territorial grek 6 milje detare, të deklaruara nga Greqia.
Ndarja “sipas vijës së mesit”, e përzgjedhur qorrazi nga shqiptarët, lejoi “pushtimin” në kufirin e 22,22 km nga ishulli Othonoi, pa marrë parasysh rrethanat gjeografike. Shikojeni në hartë se si mësyn e drejta detare e 12 miljeve detare të Greqisë, e cila realizon me sukses qëllimet e saj. Kjo është ndër më të thjeshtat. Por ka edhe më shumë. Unë i kam bërë zë opinionit shqiptar “në di gjë ai, se kujt shteti i përket Cekina shkëmbore e Pleshtit (Barketës) tanimë të njohur? Greqisë apo Shqipërisë? Askush nuk përgjigjet.
Pra, ky shkëmb është histori e papërgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë shtetërore shqiptare, mbasi ky shkëmb që ndodhet në krahun shqiptar të detit territorial, në vitin 1913, kur detit iu la vetëm një frazë nga ndarja tokësore “Përmes Kanalit të Korfuzit”. Ky shkëmb është marrë si qendër për të ndarë detin Jon të Shqipërisë. Dhe ky është mjerimi ynë shqiptar. Dhe diplomati thotë “asgjë e re për Shqipërinë!”
Dhe më tej shton se: “Unë do të thosha se kjo është një keqkuptim i madh. Këtu është cituar ligji ndërkombëtar, sipas UNCLOS-82. Këtë të drejtë e kanë të dy fqinjët për ta zgjeruar (për ta marrë këtë të drejtë) dhe ajo ngelet si të ishte dheu kontinental i të dyja shteteve. Ajo që kërkon njohje, përgatitje profesionale dhe ligjore është negociata për ato raste kur kushtet gjeografike nuk e lejojnë zgjerimin. Këtu është çështja! Dhe për këtë shqiptarët kanë të drejtë të trazohen keqazi se kësilloj u dogjën gjatë “pushtimitdorëzimit” që ndodhi në vitin 2009.
Asnjë në hierarkinë e shtetit nuk e tha një fjalë për të sqaruar negociatën, por diplomati i ri tha prerazi se nuk ka negociatë! Automatikisht! Si është e mundur?! Kaq do të duhet dhe “t’i hapet shtegu” kundërshtarit që të “gllabërojë” hapësirën detare, sepse nuk dëshiron të pranojë faktorin tjetër ndarës të së Drejtës së Detit “Equitable Solution” (ndarje e drejtë dhe e ndershme). Më erdhi mirë që zoti Cakaj në një dalje të tij para mediumeve përmendi “atje ku e lejon gjeografia” (shyqyr!). Pra aty do të ketë vlerësim dhe analizë, si dhe negociatë. Po ashtu Cakaj përmendi edhe Gjykatën Kushtetuese e cila nuk përmendet fare”.
Diskutime rreth kësaj post