Kryetar i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima ka komentuar vendimin për të shtyrë edhe me katër muaj mbylljen e transmetimeve televizive analoge.
Në një deklaratë për mediat, Kokëdhima i bën thirrje qytetarëve të rezistojnë, pasi sipas tij qeveria i ka frikë.
Gjithashtu Kokëdhima shprehet se “ Koalicioni i pashpallur PS-PD funksionon me këtë ndarje pune: Qeveria ndan paratë publike për klientët e përbashkët, ndërsa PD administron protestat që ato të mos i sjellin asnjë dëm thelbësor qeverisë. Sa herë që ka ndonjë revoltë të vërtetë popullore, qeveria dridhet. Sa herë që përzihet PD në protestat e popullit, fiton qeveria.”.
Deklarata e plotë:
Reagimi i kryetarit të partisë ZGJIDHJA pas tërheqjes së qeverisë për mbylljen e transmetimeve analoge
Rezistoni! Kjo qeveri ju ka frikë!
Qeveria e ka frikë popullin, por jo opozitën, të cilën e ka futur në xhep me marrëveshjet okulte. Dje, duke parë pakënaqësinë e popullit, shprehjen e revoltës ndaj korrupsionit që po shoqëron aplikimin e digjitalizimit në transmetimet televizive, qeveria u tërhoq. Kryeministri u dorëzua para popullit. Ashtu siç u dorëzua para protestës popullore në Kukës kundër tarifës së paligjshme për Rrugën e Kombit, ashtu siç u dorëzua para protestës së popullit kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri.
Kështu edhe dje, kryeministri parandjeu përplasjen dhe u mënjanua. Koalicioni i pashpallur PS-PD funksionon me këtë ndarje pune: Qeveria ndan paratë publike për klientët e përbashkët, ndërsa PD administron protestat që ato të mos i sjellin asnjë dëm thelbësor qeverisë. Sa herë që ka ndonjë revoltë të vërtetë popullore, qeveria dridhet. Sa herë që përzihet PD në protestat e popullit, fiton qeveria. Partia ZGJIDHJA i bën thirrje rinisë të bëhet aktive dhe të reagojë përkrah prindërve ndaj çdo padrejtësie. Po afron ora që populli të vendosë për ta fshirë nga historia këtë sistem të korruptuar dypartiak. Hapi i parë është presioni popullor për një kod zgjedhjesh që do t’i kthejë sovranitetin popullit, që ai të zgjedhë ata që dëshiron. Partia ZGJIDHJA do të luftojë për një reformë elektorale të vërtetë, si çelësi që do të çojë te një pushtet legjitim, i votuar nga populli, jo i emëruar nga dy kryetarët e PS-së dhe PD-së. I bëjmë thirrje popullit që të rezistojë, të mos dorëzohet, të protestojë. Mos pranoni asnjë masë antipopullore! Kjo qeveri dhe kjo pseudo opozitë e kanë humbur legjitimitetin dhe besimin tuaj!
Po vjen ora e llogarisë. Ngrihuni!Tirania do të shembet!
Diskutime rreth kësaj post