Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, grek, Nikos Dendias për marrëveshjen detare me Shqipërinë. Sipas palës greke, marrëveshja mes dy vendeve është gati dhe Greqia do të zgjerojë ujërat territoriale të saj me 12 milje.
Reagimi i plotë në Facebook:
“Deklarata e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, mbrëmë në parlamentin helen se shumë shpejt Greqia do të ketë mundësinë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në detin Jon, është alarmuese.
Shqipërisë po i kërkohet të zbatojë marrëveshjen e arritur mes dy ish-ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, dy vite më parë, kur Greqia deklaronte se do të zgjerohej me 12 milje në Detin Jon, ndërsa pala shqiptare qetësonte se kufiri detar ndahej sipas parimit të barazlargësisë që, sipas ekspertëve, është përfitim për Greqinë që këmbëngul të merren si pikënisje e përcaktimit të kufirit ishujt e pabanueshëm të Diapontit në veri-perëndim të Korfuzit, siç parashikonte marrëveshja e vitit 2009 në kohën e qeverisë ‘Berisha’.
Qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve se çfarë ka nënshkruar 2 vite më parë, nëse ka bërë pazar në kurriz të sovranitetit të vendit dhe të tërësisë territoriale dhe çfarë fsheh që nuk reagon ndaj deklaratave të Athinës.
Shqipëria nuk duhet dhe nuk mund të pranojë një marrëveshje të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese një dekadë më parë, ndërsa Greqia duhet të zbatojë UNCLOS, ligjin ndërkombëtar të demarkacionit të zonave detare, siç bëri me Italinë, pak javë më parë. Ndryshe, kjo marrëveshje duhet të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Shqipëria nuk ka asnjë pëllëmbë tokë dhe det për të dhuruar, për askënd”. – ka shkruar ai.
Diskutime rreth kësaj post