Shqipëria nuk pritet të kalojë as këtë vit teknologjinë e shërbimeve celulare 5G.
Megjithëse po hyjmë në tremujorin e fundit të vitit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nuk ka nisur ende një procedurë të ofrimit të frekuencave për këtë teknologji.
Afatet e nevojshme ligjore e bëjnë tashmë të vështirë qoftë edhe dhënien e autorizimeve individuale për frekuencat që do të përdoren për teknologjinë 5G brenda këtij viti, pa llogaritur më tej kohën e nevojshme për ofrimin e shërbimit mbështetur në këtë teknologji.
Sipas Planit të Veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri, që u përgatiti në fund të vitit 2021 në bashkëpunim me kompaninë e konsulencës Jones Group International, rekomandohej që procedura e tenderit për dhënien e autorizimeve për përdorimin e frekuencave në brezin kryesor të teknologjisë 5G, atë 700 MHz (694-790 MHz) të shpallej në mesin e vitit të kaluar. Por, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, ende nuk ka asnjë sinjal se kjo teknologji do të debutojë së shpejti në Shqipëri.
Shtyrjet e vazhdueshme të kalimit në 5G lidhen së pari me çështje teknike dhe burokratike, por ndoshta edhe me një mungesë oreksi të madh nga tregu për të bërë një kapërcim të shpejtë teknologjik.
Lirimi i brezit të frekuencave 700 MHz nga transmetimet audiovizive për t’iu kaluar operatorëve të komunikimeve elektronike ende nuk është kryer, megjithëse ka kaluar pothuajse një vit nga afati i fundit i vendosur për këtë qëllim.
Në vitin 2021, Këshilli i Ministrave pati miratuar Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që sanksionon përfundimisht zgjerimin e spektrit që do të përdoret për internetin me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme. Brezi 700 MHz, duhet të kalonte përfundimisht nën administrimin e AKEP duke filluar nga 30 qershori 2022. Por, lirimi i këtij procesi po rezulton një process i vështirë, përtej afateve dhe parashikimeve të vendosura.
Brezi 700MHz aktualisht është ende në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive.
Në raportin vjetor për Kuvendin të vitit 2022, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), pranonte se vitin e kaluar nuk janë bërë përparime të rëndësishme në këtë proces, duke nënvizuar se lirimi i brezit 700 MHz është një proces kompleks, i cili përfshin disa vendimmarrje në kuadrin ligjor, financiar, teknik i cili ngarkon me përgjegjësi jo vetëm AMA-n por një sërë aktorësh (të tillë si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Finacave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Konkurrencës, AKEP, operatorët audioviziv kombëtar publik dhe privatë, etj), të cilët të gjithë së bashku duhet të kenë vullnetin e mirë për të nxitur dhe përshpejtuar arritjen e objektivit. Shtrirja e komunikimeve celulare në brezin 700MHz pritet të jetë hallka më e rëndësishme drejt adoptimit të teknologjisë 5G, në kuptimin e administrimit të spektrit, sepse teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave më të gjera.
Megjithatë, teknikisht brezi 700 MHz nuk është brezi i vetëm që mund të përdoret për teknologjinë 5G.
Në shumicën e vendeve ku janë ndërtuar rrjetet e para komerciale 5G, ofrimi i tyre ka nisur pikërisht përmes brezit 3.5 GHz (3.3-3.8 GHz). Brezat e mesëm të spektrit ofrojnë një ekuilibër të mirë mes potencialeve të mbulimit me rrjet dhe kapacitetit transmetues. Në fund të vitit 2019, njëri prej operatorëve celularë zhvilloi testimin e parë të teknologjisë 5G në Shqipëri, pikërisht në brezin në këtë brez.
Megjithatë, për momentin edhe vetë operatorët celularë nuk kanë shfaqur ndonjë ngut për të kryer një kapërcim të shpejtë drejt teknologjisë 5G, duke marrë në konsideratë edhe investimet e konsiderueshme që do të nevojiten.
Në konsultimin publik rreth dokumentit mbi teknologjitë e reja të internetit me brez të gjerë në Shqipëri, vitin e kaluar, operatorët janë se kanë investuar në mënyrë të konsiderueshme në teknologjinë 4G/4G+ në të gjitha grupet e spektrit përkatës dhe ata besojnë se ekziston ende një mundësi për të mbuluar kërkesat lokale për brezin e gjerë celular dhe rastet e përdorimit individual të paktën për 2-3 vitet e ardhshme.
Operatorët e kanë parashikuar periudhën 2022-2023 për prova teknike dhe studime marketingu, ndërsa investimet e konsiderueshme në teknologjinë 5G priten kryesisht në periudhën 2024-2025. Operatorët e shohin kalimin në teknologjinë e radhës 5G më të vështirë krahasuar me kapërcimet e mëparshme dhe ky pesimizëm lidhet me faktorë ekonomikë, teknologjikë, por edhe të natyrës burokratike dhe administrative. 5G, duke qenë një investim intensiv dhe duke ndryshuar teknologjinë aktuale, ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë kohë për t’u vendosur sesa rrjeti 4G.
Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. /Monitor
Diskutime rreth kësaj post