Ministria e Transportit ka bërë me dije ndryshimet e Kodit Rrugor. Një nga pikat e ndryshuara është respektimi i semaforit. Drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët duhet të kenë shumë kujdes në respektimin e semaforëve, në të kundërt do të merren ndëshkime të rënda. Të gjithë ata drejtues automjetesh që shkelin sinjalistikën e semaforit, do të gjobiten nga 500 deri në 2 mijë lekë gjobë dhe në rast përsëritje, atyre u aplikohet pezullimi i lejes së drejtimit nga 9 deri në 12 muaj. Në rastin kur u është hequr leja e qarkullimit, shoferët do duhet t’u rikthehen autoshkollave.
Në kod parashikohet se këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve që hapin rrugë të reja për të kaluar, duke ndryshuar ato ekzistuese do marrin gjobë nga 100.000-400.000 lekë.
Pika 4 e nenit 189 të Kodit të ri Rrugor përcakton se cilido që shkel dispozitat parashikuar në kod, si për këmbësorët edhe për drejtuesit e mjeteve, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Në ligj këmbësoret detyrohen të qarkullojnë në trotuare, bankina, shëtitore dhe hapësira të tjera të caktuara për ta. Kur këto mungojnë, janë të zëna, të ndërprera ose të pamjaftueshme, duhet të qarkullojnë në buzën e karrexhatës në sens të kundërt me lëvizjen e mjeteve dhe në mënyrë të tillë që të krijojnë një pengesë sa më të vogël për qarkullimin.
Jashtë qendrave të banuara, këmbësorët kanë për detyrë të qarkullojnë në sens të kundërt me atë të lëvizjes së mjeteve në karrexhata me dy sense lëvizjeje dhe në buzën e djathtë në lidhje me drejtimin e lëvizjes së mjeteve në rastin e karrexhatave me një sens lëvizjeje.
Këmbësorët që qarkullojnë në karrexhatat e rrugëve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, pa ndriçim publik, kanë për detyrë të lëvizin në një rresht të vetëm. Është e ndaluar për këmbësorët të kapërcejnë kryqëzimet në mënyrë diagonale dhe gjithashtu, ndalohet kapërcimi i shesheve jashtë vendkalimeve këmbësore, kur ato ekzistojnë.
Diskutime rreth kësaj post