Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh sonte për të diskutuar për situatën në Kukës dhe pakënaqësitë e krijuara në bazë pas vendimit për shkarkimin e Mimi Kodhelit si e deleguar në këtë rreth dhe zëvendësimin me Safet Gjicin.
Deputeti socialist Ilir Beqaj ka folur pas mbledhjes së kryesisë duke theksuar se kryesia vendosi të rivlerësojë të gjithë procesin zgjedhor.
“Morëm vendim të rivlerësojmë të gjithë procesin zgjedhor pas problemeve organizative. Nga marsi në maj do bëjmë zgjedhje”, – u shpreh Beqaj.
Dega e Partisë Socialiste në Kukës është përçarë. Shkak është bërë një mbledhje kryesie e socialistëve zhvilluar në 17 janar të këtij viti ku është vendosur që të largohet Mimi Kodheli si e deleguar për qarkun e Kukësit dhe në vend të saj të komandohet Safet Gjici.
“Shkarkimi i znj. Mimi Kodheli si e deleguar për Qarkun tonë është i padrejtë, pasi ajo përfaqëson në Kuvend votuesit e PS-së së Qarkut Kukës. Personi i ngarkuar si i deleguar për Qarkun Kukës z. Safet Gjici është në kundërshtim me statutin e PS-së dhe nuk përfaqëson interesat e socialisteve të Kukësit, as të votuesve të PS-së Kukës, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij e ka dëshmuar këtë. Në këtë mënyrë problemet tona të premtuara për zgjidhje jo vetëm që nuk filluan të zgjidhen, por me një revansh dhe më të shtuar u agravuan duke u shkelur rëndë të drejtat e socialisteve” – thuhet në deklaratën që doli grupi protestues i socialistëve ndaj zëvendësimit të Kodhelit me Gjicin.
Diskutime rreth kësaj post