Reagimi i kryetarit të partisë ZGJIDHJA për propozimet e PS-së mbi reformën zgjedhore
Partitë e vjetra në Shqipëri po përmbyllin me sukses planin e tyre ogurzi për të lënë Shqipërinë të vetmin vend në botën demokratike që nuk bën zgjedhje të lira dhe të barabarta. Propozimet e Rilindjes për reformën zgjedhore janë thjesht dhe vetëm retushime të mirëmenduara që popullit të mos i kthehet sovraniteti, që zgjedhjet tona të mbeten të pabarabarta, të administrohen nga dy partitë e vjetra të cilat do të vazhdojnë të numërojnë votat e partive të tjera, që ato të vazhdojnë të vidhen e manipulohen nga një administratë bipartizane, të deformohen, blihen dhe intimidohen nga krimi me paratë e korrrupsionit dhe të drogës.
ZGJIDHJA, partia e vetme në Shqipëri që e ka parim themelor të programit dhe mision të saj rivendosjen e Republikës dhe shtetit të së drejtës, shembjen e partitokracisë dhe depolitizimin e administratës së shtetit, rikthimin e pushtetit dhe të sovranitetit në duart e popullit përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, vëren me dhimbje se OSBE është më e interesuar që ky proces të përmbyllet brenda afatit ligjor, se sa të ngulmojë plotësimin e rekomandimeve që ajo vetë ka bërë prej kohësh dhe që po injorohen edhe këtë radhë. Ndryshimet e propozuara nga Rilindja, nuk e ndryshojnë Kodin Zgjedhor në fuqi, duke lënë të paprekur kontrollin e dy partive mbi procesin zgjedhor. Ato vetëm sa përgjysmojnë ushtrinë e komisionerëve hajdutë, por jo misionin e tyre nëpër komisonet e KZAZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit. Procesin zgjedhor duhet ta drejtojë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe jopartiake si në të gjitha vendet demokratike, duke vendosur parimin e paritetit të partive me administratën dhe procesin zgjedhor. Rilindja bën të kundërtën. Përgjysmon anëtarët e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor dhe Komisionit të Qendrave të Votimit, por jo përgjedhjen e tyre nga partitë e vjetra. Zyrtarisht thuhet se kjo trupë nuk do të zgjidhet më nga partitë politike, por nga individë që do të trajnohen nga KQZ dhe do të marrin titullin administrator zgjedhor.
Por KQZ-ja e kujt është? Përse po lufton Rilindja që të marrë kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shumicën në vendimmarrje? Depolitizimi i vërtetë i administratës zgjedhore nis nga atje dhe fakti që asgjë nuk ndryshon aty do të thotë se kontrolli vertikal do të jetë i plotë, si më pare, nga partitë e vjetra. Administrata zgjedhore nuk mund të jetë më partiake. Ajo duhet të jetë e depolitizuar dhe dy-tri parti nuk mund të administrojnë zgjedhjet ku garojnë edhe shumë parti të tjera. Ligji i ri që propozohet nuk parashikon futjen e teknologjisë në votime, identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit. Si askund në botë do të vazhdojë transporti i kutive të panumëruara kur kudo çdo votë numërohet në qendrat e votimit dhe nuk deformohet, trafikohet dhe vidhet rrugës apo në qendrat e numërimit. ZGJIDHJA i konsideron letra bakalli deklaratat e firmosura nga kryetarët e partive për të mos shitur dhe blerë votat dhe zotimet e tyre solemne si maskarada elektorale për të fshehur financimet e paligjshme që marrin partitë e vjetra në fushata. Kodi i ri mund ta ulë edhe në zero financimin me para në dorë për subjektet politike, apo të ndalojë financimin zyrtar nga klientët e qeverisë që kanë marrë koncesionet e majme, por nuk do t’i ndalojë paratë e pista që vijnë nga korrupsioni, krimi dhe trafiku i drogës që kanë qenë dhe mbeten burimi kryesor i blerjes së votave të shqiptarëve të varfër dhe të intimiduar me jetë dhe bukën e gojës. Vetëm kontrolli i rreptë mbi financimet për partitë dhe ndjekja penale ndaj atyre që blejnë votën është rruga e drejtë për të prerë financimet e paligjshme të partive politike në Shqipëri. Alfa e një reforme të besueshme zgjedhore është reforma e partive politke. Për sa kohë që kryetarët e partive do të kenë monopolin për të caktuar kandidatët në zgjedhje, ato do të mbeten sulltanate të Ramës dhe të Bashës.
Reforma elektorale duhet t’u presë me ligj financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj. Populli nuk mund të vijojë më të shkojë në zgjedhje me listat e kryetarëve, por vetëm me emrat e djemve dhe vajzave që ai dëshiron ta përfaqësojnë. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta është njëri prej kushteve kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë OK e shteteve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave në qershor 2019. Parlamentet e disa prej këtyre vendeve kanë kërkuar zyrtarisht që Shqipëria të bëjë zgjedhje të pranueshme prej të gjitha palëve në proces. ZGJIDHJA ka kërkuar që në fillim që reforma e re zgjedhore të udhëhiqet nga OSBE. Por ajo nuk është dakort me deklarimet e ambasadorit të saj, Bernd Borchardt, në RTSH, kur u pyet se cilat do të jenë pasojat për ata që pengojnë reformën që kërkohet nga Shqipëria, duke thkesuar se: “Kjo çështje nuk është pjesë e mandatit tonë në Shqipëri”. Është e vërtetë se gjatë 20 viteve të fundit, Prezenca ka mbështetur të gjitha qeveritë shqiptare në hartimin, miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të reformave, përfshirë reformën zgjedhore, gjë që sjell reformimin e institucioneve, forcimin e demokracisë dhe promovimin e shtetit të së drejtës, siç është edhe e dokumentuar se çdo raport për zgjedhjet në Shqipëri ka përfundur me frazën “hap përpara”, kur në të vërtetë zgjedhjet shqiptare kanë bërë vetëm regres.
ZGJIDHJA i bën ftesën e fundit Prezencës së OSBE-së në Shqipëri që të të kërkojë me ngulm zbatimin e rekomandimeve të bëra prej vetë saj dhe misionit të ODIHR-it, të mos ua lërë në dorë dy partive të vjetra monopolin e zgjedhjeve. Kodi i ri Zgjedhor, edhe mund të dështojë, sepse kërkon 84 vota në parlament, që shumica e majtë nuk i ka, por edhe mund të kalojë, pasi partitë e vjetra të bëjnë ujdinë e radhës. Por dështimi më i madh do të jetë ai i demokracisë shqiptare, e marrë peng nga partitë e kryetarëve.
Diskutime rreth kësaj post