Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një sërë shkeljesh ligjore gjatë auditimit të shoqërisë Hekurudha shqiptare SHA Durrës, duke konkluduar se dëmi që i është bërë shtetit kap shifrën e miliona lekëve.
Përmes një njoftimi zyrtar, KLSH jep detajet e shkeljeve të shumta ligjore të kryera duke sqaruar se dosja i është dërguar prokurorisë për ndjekje penale.
Ndër shkeljet e shumta ligjore në sy bie rastet e prokurimeve si dhe gjyqet e shumta që shoqëria e hekurudhës ka me punonjësit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të programit të auditimit nr.1313/1, datë 03.01.2018, ka audituar Shoqërinë “Hekurudha Shqiptare” SHA Durrës për periudhën 01/11/2014 deri në 31/12/2017.
Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH me shkresën nr. 1313/10 datë 18.06.2018 i ka përcjellë HSH gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimin nr. 50, datë 17.06.2018 të Kryetarit, si dhe ka dërguar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve dhe ish-punonjësve të Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” SHA.
-Nga Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” SHA, nuk janë zbatuar plotësisht procedurat ligjore për përdorimin e subvencionit të akorduar për transportin e udhëtarëve për periudhën objekt auditimi, duke ndryshuar destinacionin e këtij subvencioni në vlerën 1,230,000,000 lekë e cila përbën shkelje të disiplinës buxhetore dhe shpenzime jo në përputhje me ligjin po në të njëjtën vlerë.
Konkretisht i gjithë subvencioni është përdorur për mbulimin e fondit të pagave dhe sigurimet shoqërore për shoqërinë Hekurudha Shqiptare, duke ndryshuar në këtë mënyrë destinacionin e këtij shpenzimi të dhënë nga buxheti i shtetit, në kundërshtim me Ligjin nr. 9374, datë 21.02.2005 “Për ndihmën shtetërore”, Ligjin nr. 185/2013, datë 02.12.2013 “Për buxhetin e vitit 2014”, Ligjin nr. 119/2012, datë 17.12.2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 817, datë 28.12.2005 “Për miratimin e rregullores “Për procedurat dhe formën e njoftimit”, Vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 8, datë 02.02.2007 i ndryshuar me Vendimin nr. 15, datë 15.03.2007.
-Nga auditimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi në zbatimin e strukturës organizative, në marrëdhëniet e punës dhe në dhënien e pagave dhe shpërblimeve është konstatuar se punonjësit e larguar nga puna kanë hapur procese gjyqësore ligjore për të cilat janë marrë 18 vendime të formës së prerë në vitet 2015-2017, me vlerë të efektit negativ financiar në shumën 11,481,144 lekë, nga të cilët 12 nga këto vendimi janë në proces.
– Shoqëria nuk ka paguar këstet kredisë italiane, në kundërshtim me standardin kombëtar të kontabilitetit nr. 3, të përmirësuar, Instrumentet financiare, pika 14, duke sjellë rritje të riskut për mosparaqitjen e saktë të pasqyrave financiare. Vlera 1,746,915 euro e paguar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë përbën efekt negativ financiar për Buxhetin e Shtetit.
-Ish-drejtues të shoqërisë kanë likuiduar fatura për shërbim me roje private, të cilat nuk janë firmosur nga blerësi, nuk është përcaktuar vendi i kryerjes së shërbimit, nuk janë shoqëruar me procesverbalet e kryerjes së shërbimit dhe nuk është përcaktuar vendi i realizimit, me pasojë dëm ekonomik me vlerë 14,223,134 lekë.
– Kontrata e furnizimit “Blerje traversa druri, për vitin 2016”, nuk është përfunduar në afatin e përcaktuar në kontratë, megjithatë nga ana e Shoqërisë nuk janë aplikuar penalitetet e përcaktuara që për këtë rast janë me vlerë 4,209,874 lekë. Janë konstatuar mangësi në zbatimin e tre kontratave të punimeve civile dhe furnizimit për tre raste me vlerë 3,530,714 lekë.
– Në dy procedura prokurimi, fondi limit është përllogaritur më i lartë se ai real, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 1, pika 2. b, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 4,127,040 lekë dhe 3,611,600 lekë.
– KLSH i ka kërkuar administratorit të shoqërisë të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 6 punonjës: E.D, në cilësinë e Drejtorit të NJBMIH, M.K, M.B, XH.B, në cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit, P.N, N.P, në cilësinë e anëtarëve të KVO. Po ashtu është kërkuar marrja e masës disiplinore “Vërejtje” për 11 specialistë A.D, D.R, Ll.I, P.D, M.S, E.L, A.G, L.D, Sh.Xh, V.M, N.P, me detyrë specialist.
Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si dhe çështje/probleme të tjera të trajtuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 50, datë 17.06.2018, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 15, germa “gj” të Ligjit nr.154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, është dërguar për indicie penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës Raporti Përfundimtar i Auditimit të dhe Vendimi i Kryetarit të KLSH nr. 50, datë 17.06.2018.
Diskutime rreth kësaj post