Gazetarja Klodiana Lala ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për skandalin që ka shpërthyer në spitalin Onkologjik, ku prokuroria ka zbuluar se mjekët zhvasnin qytetarët duke i dërguar në klinika private ku pacientët paguanin 2500-2700 euro dhe u mohonin atyre ilaçet.
Po kështu, mjekët nxirrnin ilaçet nga Onkologjiku, i kalonin në Farmaci me të cilat kishin lidhje dhe këto ilaçe shiteshin nga 250 euro deri në 1500 euro secili flakon.
Lala tha gjithashtu se disa nga fletë-daljet e pacientëve në klinikat private, janë vulosur me vuluën e QSUT, në mënyrë që nëse humbin jetën, të quheshin si pacientë të QSUT.
Lala tha se ka tre degëzime të hetimit ndërkohë dha detaje tronditëse nga aktiviteti i mjekëve.
“Janë tre degëzime të hetimit, hetimi ka nisur kryesisht për një pjesë, por nga ana tjetër ka patur hetim të mëparshëm që kishte të bënte me Agjencinë Kombëtare të Barnave nën dyshimet se në Shqipëri futeshin barna kontrabandë.
Mjekët e spitalit Onkologjik merrnin pacientë, nuk u jepnin shërbimin në këtë spital shtetëror sipas ligjit, por i orientonin në klinikat private. Në rastin konkret është provuar një klinikë në zonën e Astirit, e cila sipas hetimeve të deritanishme, rezulton të jetë e lidhur me njërin nga mjekët e Onkologjikut. Kur pacientët paraqiteshin, nën dyshimin se ishin të prekur me kancer, orientoheshin, u thuhej se gjendja është e rëndë dhe keni nevojë për ndërhyrje urgjente dhe në spital ka rradhe dhe problematika për ilaçet e kimioterapisë, i orientonin në drejtim të klinikës. Pacientët paguanin 2500-2700 euro. Më pas edhe tarifa të kimioterapisë.
Ka një dëshmi të një personi që ka sjellë nënën nga zona e Burrelit, ka kryer vizitat në Burrel, atje janë ngritur dyshime që mund të kishte nevojë urgjente për të shkuar te Onkologjiku. Ka marrë kontakt me koordinatorin, që është afruar kur zonja priste në rradhë. Kur ka vajtur te mjeku Dashi, e ka orientuar në drejtim të klinikës, është bërë ndërhyrja dhe më pas djali i zonjës thotë, kur doli biopsia dhe rezultoi e pastër, ata më kërkuan mua të bëja kimioterapi për nënën, por mu duk e paarsyeshme dhe kur ja thashë këtë mjekut, u vrenjtën në fytyrë. Kur është bërë fletë-dalja e zonjës është firmosur me logon dhe vulën e QSUT. Kjo sipas prokurorisë, nëse pacientja ndërronte jetë në spitalin privat, nuk donte klinika apo spitali të merrte përgjegjësi, por ti faturohej QSUT. Ky është një nga degëzimet e hetimit.
Dëgëzimi i dytë, ka të bëjë me barna që janë të autorizuar për t’u përdorur vetëm nga spitali Onkologjik. Janë ilaçe të posaçme, në varësi të llojit të tumorit. Mjekët nxirrnin ilaçet nga Onkologjiku, i kalonin në Farmaci me të cilat kishin lidhje dhe këto ilaçe shiteshin nga 250 euro deri në 1500 euro secili flakon. Në këtë rast ka patur një dëshmi interesante dhe autoritetet nuk kanë reaguar. Në nëntor të vitit 2023, një zonjë i është drejtuar Departamentit Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë dhe ka deklaruar pikë për pikë se çfarë ndodhte brenda Onkologjikut, thoshte se ishte operuar dhe mjekët i jepnin gjysëm doze ose doza të pjesshme të kimioterapisë dhe ajo po dëmtohej rëndë në shëndet. Mjekët më pas kishin filluar ta diskriminonin, duke qenë se jeni në grahmat e fundit, këto ilaçe na duhen për pacientë të tjerë… Nuk janë vënë në lëvizje institucionet. Barnat futeshin kontrabandë në Shqipëri dhe shiteshin nga depo farmaceutike të caktuara.
Degëzimi i tretë dhe shumë problematik, ka të bëjë me pajisjen e kobaltit. Është sjellë në vitin 2021. Sipas Konventës së Vienës duhet të vendoset në një bunker anti-atomik, thonë mjekët. Vetëm aty nuk ndikon rrezatimi në shëndetin e mjekëve dhe pacientëve. Kjo pajisje jo vetëm nuk është vënë në punë dhe pacientët e prekur me tumore janë orientuar në drejtim të privatit, por më e rënda është lënë në kushte të papërshtatshme duke u shndërruar në burim rreziku. Rezulton sipas raportit të KLSH, që 9 mjekë dhe staf mjekësor i Onkologjikut rezultojnë të prekur nga sëmundje tumorale. Doktor Hoti e ka ngritur këtë problem. Është edhe Helidon Nina, të cilët kanë kërkuar dhe kanë reaguar në grupin Whatsapp. Kanë thënë nuk duhet heshtur, po vëmë në rrezik jetën tonë. Persona përfshire edhe zv.drejtorëshën e QSUT, nuk kanë reaguar, por disa nga doktorët kanë këmbëngulur që pajisja kishte zero rrezatim.
Kur ka ardhur një eksperte gjermane, ka konstatuar që jo vetëm kishte rrezatim në ambjentet e brendshme, në të gjithë muret e Onkologjikut dhe në ambjentet jashtë saj. Askush nuk ka mbajtur përgjegjësi”, tha Lala.
Diskutime rreth kësaj post