Ndërsa na ndajnë më pak se 1 muaj e gjysmë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, situata dhe klima para zgjedhore duket e tensionuar. Sinjali më i freskët ka ardhur ditën e djeshme nga qyteti i Elbasanit, aty ku Dita e Verës u kthye në një “fushë betejë” mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Shkak u bë përplasja e axhendave të dy liderëve politikë, kreut të PD, Lulzim Basha dhe kreut të PS, Edi Rama.
Ishte pikërisht kryedemokrati Lulzim Basha, i cili mbërriti i pari në Elbasan për të uruar qytetarët për festën e Ditës së Verës. Ndërkohë që pas tij, në të njëjtin vend u shfaq edhe kryeministri Edi Rama, i cili u prit me ovacione, ku disa qytetarë thërrisnin në kor “Rama ik”, ndërsa nga ana tjetër mbështetësit e Partisë Socialiste, fyen dhe ofenduan “kundërshtarët” e tyre. Por kjo solli në një përplasje fizike mes njerëzve që ishin të pranishëm në bulevard, duke bërë që disa prej tyre të ndaloheshin. Ndërkohë përplasjet virtuale vijuan nga ana e Bashës dhe Ramës. Basha bëri fajtor kryeministrin Edi Rama duke e quajtur prishjen e festës një skenar të shefit të qeverisë, ndërsa ky i fundit ia hodhi fajin liderit demokrat.
Megjithatë këto episode dhune, tregojnë se jemi në një klimë tensioni para 25 prillit dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një “shkëndijë” dhe shembull inspirimi me doza dhune për militantë partiakë, ka ardhur edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili ditën e premte u përplas fizikisht me policët e Bashkisë së Tiranës në ambientet e zyrave të Partisë Fryma e Re Demokratike, duke treguar që këto skena mund të vënë në pikëpyetje zgjedhjet parlamentare. Sidoqoftë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Bardhi akuza Ramës
Por për incidentin e ndodhur dje në Elbasan ka reaguar edhe politika. Kështu, Sekretari i Përgjithshëm, njëherësh drejtuesi politik i Partisë Demokratike në këtë qytet, Gazment Bardhi theksoi në rrjetet sociale se Rama prishi Ditën e Verës, me një skenar, që e kishte parapërgatitur. Madje, zoti Bardhi ka publikuar edhe emrat e fotot e personave që ishin prezent në incidentin e Elbasanit, duke u shprehur se janë anëtarë të krimit të organizuar dhe mbështetës të Partisë Socialiste.
“Edi Rama prishi sot Ditën e Verës me një skenar të parapërgatitur, të gatuar me botën e errët të bandave. Në mungesë të bilancit dhe nga refuzimi që i bënë qytetarët, ai vuri në jetë alternativën e vetme që ka për qytetin dhe për vendin, krimin e organizuar. Ne kemi prova dhe fakte të pakontestueshme dhe mbarë qytetarët e panë, se si persona më precedentë penalë ishin sot ekipi i tij në Elbasan. Dua t’i kujtoj Edi Ramës, të deleguarit politik të bandave, Taulant Ballës dhe çdo krimineli, se ndryshimi nuk ndalet dot me asnjë instrument dhe se për çdo përpjekje që bëjnë, do të përgjigjen. Edi Rama me aplikimin e planit banditesk, e bëri edhe më të qartë sot për njerëzit se kush janë dy alternativat e 25 prillit. Më poshtë, po paraqes emrat dhe fotot e anëtarëve të skuadrës së Edi Ramës në Elbasan, që dhunuan qytetarët dhe që janë sot mbështetësit e vetëm që i kanë ngelur në këtë qark e kudo”, – shkruan Bardhi.
Nga ana tjetër edhe kandidatja për deputete e qarkut të Elbasanit, Rudina Hajdari ka komentuar dhunën që ndodhi dje gjatë festës të Ditës së Verës. Ajo shkruan në rrjetet sociale se dhuna ishte dy partitë e mëdha nuk kanë alternativë, por ofrojnë vetëm përplasje dhe luftë muskujsh.
“Përplasja e dhunshme sot, mes militantëve të PS e PD në Elbasan, është pasqyra më e qartë e degradimit të kësaj klase politike, e cila nuk ka më ide, por vetëm muskuj. Teksa qytetarët kishin dalë për të shijuar ditën e verës, bandat politike e shndërruan qytetin në fushëbetejë duke prishur gjithë atmosferën dhe duke shkaktuar panik. Fushata elektorale nuk mund të jetë garë muskujsh, sharjesh, grushtesh apo armësh, por garë idesh dhe projektesh mbi të ardhmen e njerëzve”, – shkruan Hajdari.
Diskutime rreth kësaj post