Holanda vjen shumë ndryshe në këtë çerekfinale përballë Argjentinës, një skuadër e transformuar që nga dita kur Van Gaal u rikthye në stolin e “portokallinjve”. Në 19 ndeshje me të në stol, “tulipanët” nuk e njohin shijen e humbjes, një skuadër që si rrallë herë pikën më të fortë ka mbrojtjen, mbase nuk janë brilant në fazën ofensive, por ky është një ekip “blind”, i vështirë për tu thyer, ky është një fakt që e vërtetojnë shifrat.
Në këtë Botëror, në katër ndeshje, Holanda koleksionoi 3 fitore dhe një barazim, 8 gola të shënuar, vetëm dy të pësuar. Sigurisht, Argjentina është një tjetër nivel, përballen me një nga favoritët e këtij Botërori, një skuadër që janë përballur 7 herë në të kaluarën, në 5 raste pikërisht në Botëror. Në total, Holanda ka fituar 3, ka humbur 2 dhe barazuar 2. Van Gaal shprehet i bindur se Holanda e tij i ka të gjitha mundësitë për t’i shkuar deri në fund këtij turneu:
“Holanda i ka numrat për të fituar këtë Botëror, jemi totalisht të përqendruar në këtë objektiv”, u shpreh Van Gaal duke mos preferuar të flas për masat anti-Messi: “Do ishte një idiotësi nga ana ime t’i zbuloja. Mund t’i shihni sot në fushë”, theksoi trajneri i “tulipanëve” i cili në konferencën për shtyp nuk i priti aspak mirë deklaratat e Di Maria-s i cili më herët ishte shprehur se Van Gaal është trajneri më i keq që ka pasur ndonjë herë.
Në të njëjtën mënyre e mendonte dikur edhe Depay, por sot në krahë të Van Gaal tregoi se ka ndryshuar mendim duke folur me fjalë të mëdha për trajnerin e tij: “Punën e tij e tregojnë rezultatet, nuk kemi humbur asnjë ndeshje. Mendoj se ka sjell disiplinë dhe kjo është e rëndësishme për të arritur rezultatet në një turne të tillë. Të gjithë i njohin cilësitë dhe karakterin e tij”, u shpreh ndër të tjera Depay. Në këtë sfidë përballë Argjentinës, Holanda nuk shihet favorite nga kompanitë e basteve teksa një fitore e mundshme e tyre vlerësohet me koeficientin 3,75.
Diskutime rreth kësaj post