Nga Astrit Patozi
Nese fotot panoramike të mëngjesit në facebook-un e kryeministrit quhen punë, timonieri i “Rilindjes” po qeveris mirë.
Nëse pemët që mbillen live në TV nga lali Eri quhen pyll, Tirana gjithashtu po lulëzon dita-ditës.
Nëse legjendat për SPAK, KLP apo “peshq të mëdhenj” , që ndodhen vetëm pak centimetra larg rrjetës do të merren seriozisht, drejtësia ideale ka mbërritur tashmë në Shqipëri. Neve nuk na mbetet tjetër veç të rrojmë e të shohim.
Por e vërteta është se ky vend po lundron në depresion, ndërkohë që anija e qeverisë ka mbetur prej muajsh në stere. Dhe nuk ka rimorkiator që mund ta nxjerrë në breg.
Vezirët e sulltanit janë mbytur nga pesha e ministrive të stërmëdha, sepse timonieri vazhdon të mendojë se qeverisja është një lojë fantazie, që edhe mund të vizatohet.
Nuk është e sigurt nëse do t’u mjaftojnë 4 vitet për ta ndrequr atë çmenduri gjysëm delirante dhe gjysëm korruptive, që u quajt reformë e ekzekutivit. A thua se kishte ndodhur rotacion i fortë politik, dhe nuk ishte i njëjti kryeministër.
Por, edhe pse ka shkaktuar një ngërç traumatik, “piktura”
e fundit e Edi Ramës në trajtë qeverie nuk është e keqja më e madhe.
“Rilindja” po mbytet ngadalë, por në mënyrë të pakthyeshme, kryesisht prej skandaleve të veta. Ndaj mos lusni që të gjeni optimizëm aty, ku ka bërë strehë prej shumë kohësh dëshpërimi.
Mos e kërkoni zgjidhjen tek administrata e hutuar, jo aq nga organigrama salamandër e timonierit, që ka bashkuar peshqit me delet, dhe ka ndarë pemët nga gjethet, sesa nga hija e dosjeve të drogës dhe të korrupsionit, që nuk lënë askënd të ngrohet.
Shqipëria nuk po qeveriset, por prej muajsh po zvarritet, sepse mazhoranca thjesht po e administron pushtetin. Kjo qeveri po kalbet, duke u përpjekur të na e hedhë nga zgjedhja nē zgjedhje dhe nga protesta në protestë edhe për shkak të paaftësisë dhe përgjegjësisë sonë.
Diskutime rreth kësaj post