Lehtësimi i masave izoluese duket se po sjell një shtim të të infektuarve në vendin tonë, ndërsa përpara kemi muajt e verës, kur do të jemi edhe më të lirë, por në të njëjtën kohë edhe më të ekspozuar ndaj virusit.
Epidemiologu Taulant Muka foli për situatën e pandemisë dhe u shpreh se është shqetësues fakti që vatra është në QSUT.
“Shifrat e fundit, besoj se janë një shenjë alarmi pasi po bëjmë një hapje të pakoordinuar. Në Zvicër jeta ka filluar prej javësh dhe nuk ka luhatje të shifrave. Më shqetëson se vatra e infektimit është një vatër spitalore. Kjo do të thotë se në Shqipëri nuk e kanë marrë me seriozitet. Nëse nuk ka ndërgjegjësim te stafet mjekësore nuk dua të mendoj për ndërgjegjësimin te qytetarët. Drejtori i QSUT-së duhet të shkarkohet, pasi është përgjegjësi kryesor për ngjarjen. Ka një protokoll dhe ai duhet të zbatohet”, – u shpreh Muka në A2.
Më tej, epidemiologu theksoi se po bëhet një hapje e pakoordinuar në Shqipëri dhe kjo sipas tij, mund të sjell mbylljen e vendit. Madje, ai shprehet se po tentohet edhe një infektim masiv i popullatës.
“Duket se shumica e shoqërisë po beson se kjo është një konspiracion, për shkak të mënyrës se si është trajtuar nga politika shqiptare. U trumbetua nga qeveria se ka bërë një punë të madhe me 25 raste në ditë dhe kur sot kemi 25 raste, ne hapemi pa pikë problemi. Qeveria nuk ka bërë detyrën e saj, krijimin që vjen përmes laboratorëve të rinj. Po bëhet një hapje e pakoordinuar, e cila mund të vijë me rrezik të lartë dhe mund të rrezikojë mbylljen e vendit, pasi shtetet e tjera mund të bllokojnë kufijtë me Shqipërinë, nëse ka rritje të rasteve. Unë kam frikë dhe uroj të jem i gabuar, por në Shqipëri po tentohet një infektim masiv i popullatës, me qëllim që gjendja e emergjencës të shtyhet më tej. Kjo është e frikshme, pasi ne kemi një humbje të madhe ekonomike dhe nuk mund të ndodhë një izolim tjetër për Shqipërinë”, – tha Muka.
Diskutime rreth kësaj post