Nisur nga raporti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), sipas të cilit Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë, ka ardhur reagimi i fortë i shefit të kabinetit në Presidencë, Edmond Panariti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale teksa ngre alarmin për situatën e emigracionit në vend, Panariti sheh si të nevojshëm në mënyrë të menjëhershme një riformatim dhe ristart të plotë të vendit dhe organeve drejtuese.
Postimi i plotë:
“Zbrazja shpopulluese e vendit është krizë ekzistence kombëtare!
Kjo nuk është lëvizje e lirë e popullsisë, por shpërngulje e saj.
Është dramë!
Është marrje e kalasë jo me luftë, por me tharjen e burimit të saj …Të Burimit njerëzor.
Treva dhe vende historike po boshatisen, dhe po mbeten thjesht emërtesa gjeografike.
Vendi ka fluks emigrimi si vendet e lindjes në luftë Siri dhe Afganistan.
E pa parë dhe e pa dëgjuar për një vend Evropian.
Asnjë projekt zhvillimi nuk merr kuptim në një vend pa njerëz.
Vendi është i destinuar të thahet dhe të shërbejë e shumta si tranzit turistik një ose dy javor ose vend pleqërimi për moshën e tretë.
Sepse atij i mungon limfa jetësore, mosha e re, energjia krijuese e saj.
Pa të nuk ka të ardhme, nuk ka të ardhura, nuk ka shërbime sepse nuk ka njerëz.
Çuditërisht këtë e kish kuptuar edhe diktatori Hoxha, që ky vend nuk bëhej pa njerëz.
Por për ti mbajtur brenda shqiptarët ai vuri në veprim një mekanizëm mizor izolues me forcë me dhunë, të mbarë popullit.
Dhe e mbajti vendin të populluar me koston e një burgu të madh.
Por sigurisht nuk i mungonin burimet njerëzore për ndërtim dhe zhvillim me çmimin skllavërues të mungesës së lirisë për njerëzit.
Sot jemi një vend i lirë në kartë, por i robëruar nga mundësitë që i ofrohen popullit dhe veçanërisht të rinjve për të jetuar, punuar, investuar, krijuar aty ku kanë rrënjët, aty ku kanë lindur.
Ka vetëm një rrugë, ka vetëm një zgjidhje për ta hapur sërish tunelin e shpresës.
Dhe kjo është:
Zhbërja e këtij modeli ekonomik të zhvillimit të vendit ku burimet, pasuritë dhe të ardhurat janë në pak duar.
Por për këtë duhet një riformatim i madh i tij.. I cili kërkon patjetër një ristart, ashtu siç bëjmë edhe me një kompjuter që na bllokohet pas një shfrytëzimi të gjatë.
Sa më parë që ta bëjmë këtë aq më e vogël kosto për Shqipërinë.” – shkruan Panariti.
Diskutime rreth kësaj post