Kur pas një konsultimi disa mujor, administrata Biden shpalli politikën e saj përkundrejt Koresë së Veriut prillin e këtij viti, me titull “diplomacia, dhe masat e ashpra parandaluese”, ajo mezi u përmend si lajm nga media.
Çështja se si duhet të sillet SHBA0ja me shtetin diktatorial të armatosur me armë bërthamore, një çështje që nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhe, por që nga ana tjetër nuk është përshkallëzuar kurrë në një kërcënim ekzistencial, ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për shumë administrata amerikane.
Sot ndjenja dominuese, në mesin e një pandemie dhe një tensioni të shtuar midis fuqive të mëdha, është se Uashingtoni ka probleme dhe kriza më urgjente, ku duhet të përqendrohet.
Por kjo përshtypje është e gabuar, dhe shumë e rrezikshme.
Përpjekjet joproduktive të SHBA-së për të kontrolluar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut, e kanë shtuar akoma më shumë sfidën, aq sa tani presidenti amerikan Joe Biden përballet me një kundërshtar shumë më të aftë në Phenian sesa paraardhësi i tij Trump.
15 vite që nga testimi i parë bërthamor i Koresë së Veriut, vendi komunist ka aktualisht deri në 60 armë bërthamore, dhe material të mjaftueshëm për të ndërtuar të paktën 6 bomba të reja çdo vit. Edhe më alarmant është fakti, që këto armë kanë tanimë më shumë të ngjarë të mbërrijnë deri në territorin e Shtetet e Bashkuara.
Kjo pasi Koreja e Veriut zotëron raketa me rreze të gjatë, të afta për të goditur Bregun Lindor. Është e pamundur të dihet me siguri nëse Pheniani ka gjetur mënyrën se si të vendosë një kokë bërthamore mbi ato raketa. Por të dhënat e deritanishme sugjerojnë se po.
Madje Koreja e Veriut, ka të ngjarë të kalojë në hapin tjetër:vendosjen e shumë bombave bërthamore në një raketë të vetme, e cila do t’i jepte mundësi të nxirrte pjesërisht jashtë loje sistemin anti-raketor amerikan.
Vendi komunist nuk ka shumë të ngjarë të nisë një sulm bërthamor kundër Shteteve të Bashkuara, duke e ditur se do të pësonte një hakmarrje më pasoja shkatërruese. Por një regjim i guximshëm i Koresë së Veriut me aftësi bërthamore në rritje, mund të sille në mënyra gjithnjë e më të pamatura, si për shembull të realizojë sulme konvencionale, komplote terroriste apo sulme kibernetike.
Po si arriti ky vend të pajiset me armë bërthamore? Aspiratat e tij bërthamore datojnë që në vitet 1950, kur shkencëtarët e Koresë së Veriut fituan njohuritë bazë bërthamore me ndihmën e sovjetikëve. Gjatë dekadave në vijim, regjimi vazhdoi akumulimin e teknologjive të ndryshme bërthamore.
Ndërkohë në vitet 1980, ai ndërtoi reaktorin e tij të parë bërthamor në Jongbjon. Në vitin 1985, Koreja e Veriut nënshkroi Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore. Por ajo e bëri këtë nën presionin e sovjetikëve. Ndaj menjëherë pas këtij akti, Pheniani nisi ri-përpunimin e fshehtë të karburantit bërthamor.
Këto kërkime sekrete, arritën kulmin me testin e parë bërthamor të këtij vendi në tetor 2006. Nga ajo kohë janë krye edhe 5 teste të tjera. Historikisht, vetëm një pjesë e vogël shtetesh i kanë dhënë fund programeve të tyre bërthamore, ose kanë hequr dorë vullnetarisht nga armët e tyre bërthamore.
Madje për këtë është dashur shpesh një lloj ndryshimi i regjimi. Në këtë aspekt nuk bën dallim as Koreja e Veriut. Armët bërthamore të Phenianit janë një aset ushtarake, një policë sigurimi, dhe një burim i madh prestigji.
Familja Kim, që e ka sunduar vendin pa ndërprerje që nga viti 1948, nuk dëshiron të ndjekë rrugën e liderit irakian Saddam Husein apo atij libian Muammar Al-Gaddafi, tiranët që hoqën dorë nga programet e tyre të shkatërrimit në masë, vetëm për t’u përmbysur nga pushteti dhe ekzekutuar.
Udhëheqësit në Phenian, janë të bindur se askush, madje as një superfuqi si Shtetet e Bashkuara, nuk do të guxonte të sulmonte apo edhe të sabotonte seriozisht një shtet të armatosur me armë përfundimtare. Brenda vendit, armët bërthamore i japin regjimit komunist një shkallë legjitimiteti.
Ato janë një element i krenarisë kombëtare, dhe duket se justifikojnë privimet nga të cilat vuajnë qytetarët e zakonshëm për të mbështetur shtetin dhe ushtrinë e tij. Jashtë vendit, ato i shërbejnë rritjes së profilin diplomatik të vendit, duke kompensuar deficitet e tij sa i përket fuqisë politike, ekonomike dhe asaj të butë.
Po ashtu, bombat bërthamore e rrisin koston potenciale të SHBA-së për mbrojtjen e aleates së saj, Koresë së Jugut në rastin e një lufte, dhe i shërben kësisoj qëllimit të Phenianit për të krijuar të çara midis Seulit dhe Uashingtonit. Për këto arsye të forta, regjimi nuk ka gjasa të heqë dorë nga kjo armë, pavarësisht se çfarë lëshimi politik apo ekonomik i ofrohet në këmbim.
Që të shmangej kjo qasje e Phenianit, Perëndimi duhet të kishte ndërhyrë para se ai të prodhonte bombën e tij të parë bërthamore. Madje edhe atëherë, suksesi do të vinte me një kosto shumë të lartë. Një plan i administratës Clinton për të bombarduar uzinat bërthamore të Koresë së Veriut, mund të shkaktonte sulmin e kësaj të fundit ndaj Koresë së Jugut.
Kjo gjë do të shkaktonte 250.000 të vrarë vetëm në Seul, ndërsa në total mbi 1 milionë të vdekur, një triumf që me siguri që të klasifikohej si një “Fitore si e Pirros”. Më së afërmi në kohë, strategjia fillestare e presionit dhe izolimit të regjimit nga ana e Donald Trump u duk se po funksiononte.
Në fundin e vitit 2017, rreth 90 për qind e eksporteve të Koresë së Veriut, ishin sipas ligjit ndërkombëtar të paligjshme. Përveç sanksioneve amerikane, 9 rezoluta të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit kishin ndaluar eksportet më fitimprurëse të vendit, nga të cilat regjimi arkëtonte 3 miliardë dollarë në vit.
Por sërish nuk ka gjasa që presioni maksimal ta detyronte Korenë e Veriut të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore, edhe nëse ai do të rruhej për një kohë më gjatë. Disa analistë mund të argumentojnë se ishte armiqësia e SHBA-së, ajo që e detyroi Korenë e Veriut të synonte pajisjen me bombën bërthamore, apo se gjërat do të ishin ndryshe nëse Shtetet e Bashkuara do të normalizonin marrëdhëniet, do të hiqnin sanksionet, do të nënshkruanin një traktat paqeje, dhe do të tërhiqnin trupat e saj nga Koreja e Jugut.
Por kjo qasje e ngatërron shkakun me pasojat. Ushtarët amerikanë u dërguan në Korenë e Jugut pas pushtimit të Koresë së Veriut në vitin 1950. Dhe ata qëndruan aty sepse kërcënimi i Koresë së Veriut nuk u largua asnjëherë. Për shembull në vitin 2010, Koreja e Veriut siluroi dhe fundosi një anije detare të Koresë së Jugut, duke vrarë 46 marinarë.
Dinastia Kim, një diktaturë staliniste e ndërtuar mbi mashtrimin dhe shtypjen, është tek e fundit e kërcënuar nga mungesa e saj e legjitimitetit. Ajo nuk mund të ndihet asnjëherë e sigurt, për aq kohë sa një shtet rival më i lirë dhe më i begatë ekziston në vendin fqinj.
Armët bërthamore kanë të bëjnë po aq me dëshpërimin e vetë regjimit, sa edhe me frenimin e veprimeve ushtarake amerikane. Gjithsesi, është e vërtetë që politikë-bërësit amerikanë kanë dështuar jo rrallë që ta kuptojnë regjimin e Koresë së Veriut.
Ata e kanë bindur gabimisht veten se udhëheqësit e Koresë së Veriut ndajnë shpresat e tyre për paqe, dhe se mund të joshen të asgjësojnë armët bërthamore në këmbim të rritjes së ndihmës dhe stimujve ekonomikë.
Në marrëdhëniet me Phenianin, Joe Biden është udhëheqësi i fundit amerikan që përballet me një sërë opsionesh jo shumë të mira. Por pasojat e mundshme të dështimit, janë përkeqësuar në mënyrë dramatike. Në dallim nga presidentët e dikurshëm, Biden përballet tani me një kundërshtar të vendosur, me aftësi për t’i goditur me raketa bërthamore Shtetet e Bashkuara.
I hutuar nga pasojat e pandemisë, deri më tani Kim ka hequr dorë nga testet e reja raketore dhe bërthamore, që zakonisht kanë “përshëndetur” presidentët e rinj amerikanë. Por ekzistojnë të gjitha shanset që Kim të rifillojë strategjinë e tij të provuar të provokimeve.
Si do të reagojë Biden ndaj krizës së ardhshme? Sido që të jenë rrethanat, një sulm ushtarak parandalues duhet të mbetet jashtë diskutimit. Nëse ai opsion konsiderohej shumë i rrezikshëm dhe i kushtueshëm në vitin 1994, sot është akoma më shumë.
Shumë nga raketat bërthamore të Koresë së Veriut, besohet se janë fshehura në objekte sekrete, në bunkerë të padepërtueshëm. Sulmet ajrore, nuk ka të ngjarë t’i eliminojnë këto aftësi me një goditje të vetme, gjë që do të thotë se Kim mund të hakmerret me një sulm bërthamor.
Diplomacia është një opsion më i mirë, por nuk ka më shumë gjasa të sjellë denuklearizimin e vendit komunist. Basti më i mirë i Biden, është të frenojë kërcënimin, dhe më pas të punojë për të dobësuar gradualisht kontrollin e pushtetit të regjimit nga poshtë lart.
Së pari duhet nisur me sanksionet akoma më të gjera. Ndërkohë Uashingtonit do t’i duhet të ndërtojë një koalicion për të kryer një mbikëqyrje të gjerë në tokë, në det dhe në ajër, për të zbuluar çdo aktivitet të përhapjes së armëve bërthamore, dhe Biden duhet t’ia bëjë të qartë Kim se çdo shkelje e tij do të sjellë pasoja të rënda.
Në mungesë të një ndryshimi ose transformimi të regjimit – që nuk ka shumë të ngjarë, por që nga ana tjetër nuk është e pamundur – zgjidhje e tjetër e qëndrueshme për krizën bërthamore është ribashkimi i vendit nën qeverinë pro-perëndimore të zgjedhur në mënyrë demokratike në Seul.
Diskutime rreth kësaj post