Kiara Tito rikthehet në Top Channel pas suksesit të bujshëm në Big Brother Vip. Tashmë moderatoren do e shohim çdo të diela mbrëma përgjatë verës nën drejtimin e emisionit veror “Kepi i Vipave”.
Ajo ka zbuluar në një intervistë ekskluzive për Edicionin Informativ se si ndihet në këtë rikthim të sajin në Top Channel, të cilën e konsideron shtëpinë e saj të parë mediatike.
“Më emocionon dhe më bën të ndihem krenare për veten. Nuk është e thjeshtë sepse unë kam 10 vite që jam pjesë e ekranit dhe kam fantazuar gjithmonë që një ditë duke ngjitur shkallët, avash avash ashtu siç unë kam bërë, do të arrij në pikën që unë jam sot”, u shpreh Kiara.
Kujtojmë se në vitin 2015 Kiara Tito filloi karrierën televizive si prezantuese në Top Channel me programin Select. Sot ajo rikthehet aty ku e nisi rrugën e saj televizive. Po a ishte pjesëmarrja në Big Brother një arsye që Kiara të rikthehej edhe njëherë në Top Channel?
“Nuk ishte arsyeja kryesore që un hyra në Big Brother, po përveçse kisha dëshirë të sfidoja veten, kushdo nga ne, mos të gënjejmë ka dëshirë për një hap më shumë, për një katapultim në karrierë kështu që kjo ishte dhe ideja ime për të marr pjesë në Big Brother. Në këto momente është mirë që të punosh fortë, ta shfrytëzosh për veten tënde sepse gjithçka është kaluese”, tha moderatorja.
Po si e sheh ajo Olta Gixharin rivalen e Luizit në Big Brother por partneren e tij në filmin që pritet të vijë së shpejti “Në Kuadër të Dashurisë”?
“Për këdo nga banorët që kanë sakrifikuar ato 4 muaj, se nuk është e thjeshtë si eksperiencë më bëhet qejfi që të kenë një arritje, një sukses sepse kushdo nga ata luftoi”, shtoi Kiara.
Ndërkaq pas përfundimit të Kepit të Vipave, sezonin e ardhshëm Kiara Titon presim ta shohim sërish në ekranin e Top Channel.
“Më është propozuar diçka, gjithmonë në Top Channel, megjithatë nuk mund ta tregojë ende se për çfarë bëhet fjalë, po besoj që diku do më shihni me se sbën”, u përgjigj ajo.
Diskutime rreth kësaj post