Khabib Nurmagomedov, kampioni i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse, pas fitores që arriti më 6 tetor në UFC-229 ndaj Conor McGregor, i ka bërë sot një ftesë publike boksierit amerikan Floyd Mayweather, për të zhvilluar një duel. “Në xhungël ka vend vetëm për një mbret”, ka thënë kampioni rus përmes një video në faqen e tij zyrtare në “Instagram”.
“Eja Floyd, le të duelojmë së bashku. Ti je 50-0, unë 27-0. Jemi dy sportistë që nuk kanë humbur asnjëherë. Le të përballemi, mos refuzo”, shprehet më tej Khabib Nurmagomedov. Rusi ka qenë në një takim me Leonard Ellerbe, shefin e marketingut të “Mayweather Promotions”, çka lë të mendosh se diçka po lëviz në këtë drejtim, rreth një përballje të madhe në boks.
Më tej, Khabib Nurmagomedov shprehet: “Natyrisht që ai mbret i vetëm në xhungël do të jem unë. Ti nuk arrite ta hedhësh dot në tapet Conor, ndërsa unë e shkatërrova shumë lehtësisht. Eja të duelojmë”. Nuk ka munguar edhe reagimi i Ellerbe, që shprehet: “Do të përpiqemi të sistemojmë diçka për ty djalosh”.
Pra, duket se po projektohet një tjetër përballje e madhe mes një boksieri dhe një sportisti të UFC-së, ashtu sikurse ndodhi një vit më parë mes Mayweather dhe McGregor. Por këtë herë kampioni i pamposhtur i ringut do të përballet me rusin e pamposhtur të kafazit, Nurmagomedov, në një sfidë që pritet të vendosë të tjera rekorde shikueshmërie e natyrisht të ardhurash.
Video:
Diskutime rreth kësaj post