Tedi Cara, tregon edhe një herë se në ndeshjet vendimtare në Europë arrin të tregojë më të mirën e tij dhe të ndihmojë Partizanin të bëjë përpara.
E bëri vitin e shkuar ndaj Sfintul George dhe shkëlqen edhe këtë herë ndaj Saburtalos, duke shënuar një gol të rëndë, që iu jep avantazh të konsiderueshëm të kuqve për të arritur kualifikimin.
22-vjeçari ka dhënë një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ku ka folur për transfertën gjeorgjiane, por jo vetëm.
Ai rrëfen fillimet e tij në futboll dhe synimet për të ardhmen. Cara e lë Partizanin vetëm për një arsye.
A është kjo fitore një rezultat premtues për kualifikimin?
“Të rrimë me këmbë në tokë, sepse nuk ka përfunduar asgjë. Është për t’u luajtur edhe një ndeshje, ajo e kthimit. 1-0 nuk është asgjë, le të bëjmë mirë në përballjen në Tiranë dhe të arrijmë raundin tjetër”.
Keni shënuar tre gola në pesë ndeshje në Europë, shifra që i kanë pak ish-sulmues të Partizanit. Çfarë të bën kaq efikas në këto beteja?
“Ndeshjet europiane janë “vitrinë” për çdo lojtar shqiptar dhe sa herë vjen momenti për të luajtur të tilla ndeshje, duhet të japësh maksimumin e vetes tënde. Jo se nuk e bën në kampionat, por ndeshjet e kompeticioneve europiane kanë një tjetër specifikë dhe rëndësi për ne, por edhe për klubin. Fatmirësisht më ka ecur siç duhet. Vjet shënova dy, edhe këtë vit e nisa me gol. Jam shumë i lumtur për këtë”.
Kush ka qenë personi i parë që ta ka ushqyer dëshirën për futbollin?
“Fillimisht ka qenë një kushëri i babit, që ka luajtur futboll me Kavajën. Ai quhet Naim Kazazi, më pas edhe trajneri Durim Shtini. Këta të dy kanë qenë njerëzit që e kanë shtyrë familjen time që unë të merresha me futboll. Kështu nisi, më pas duke bërë mirë dhe duke u stërvitur çdo ditë, futbolli u bë i rëndësishëm për mua. I vogël ke si prioritet edhe shkollën, por kur trajnerët e mi panë që unë kisha talent dhe mund të arrija lart, iu përkushtova shumë futbollit”.
Me cilin ekip europian jeni tifoz?
“Unë kam qenë tifoz i Rikardo Kakasë, nuk kam pasur një skuadër specifike. Fillimisht isha me Milanin, ku ai luante, më pas u bëra me Real Madridin, sepse Kaka u transferua atje. Më pas, me kalimin e kohës, gjërat ndryshojnë dhe ke gjëra të tjera për të ndjekur. Tani thjesht më pëlqen të shijoj futbollin dhe ndeshjet e mëdha”.
Diskutime rreth kësaj post