Këshilltari ekonomik i presidentit amerikan, Donald Trump, Peter Navarro ka drejtuar gishtin tek Kina se për dy muaj ka fshehur koronavirusin e ri nga bota dhe se ka dërguar turistë nga Vuhani nëpër botë për të përhapur virusin.
“Virusi u shfaq në provincën Vuhan, pacienti zero u zbulua në nëntor. Kinezët kanë fshehur virusin nga bota pas mburojës së OBSH-së për dy muaj dhe më pas dërguan qindra mijëra qytetarë në Milano, Nju-Jork dhe mbarë botën për të përhapur virusin”, tha Navaro për Ej-Bi-Si.
Ai gjithashtu tha që Kina ka mundur ta mbajë virusin në Vuhan, por, në vend të kësaj, ka kaluar në pandemi. “Kjo është arsyeja pse unë them se kinezët ia bënë këtë Amerikës dhe se ata janë përgjegjës”, tha Navaro.
Navaro, i cili është zyrtarisht drejtori i Zyrës për Tregti, i udhëheq përpjekjet e administratës amerikane për t’u furnizuar me pajisje mjekësore dhe pajisje mbrojtëse gjatë pandemisë.
Presidenti Donald Trump tha të enjten se po analizon mënyra për ta goditur Kinën si shpagim për mënyrën si reagoi ndaj pandemisë së koronavirusit. “Ka plot gjëra që mund të bëjmë,” tha Presidenti Trump për rrjetin Fox News. “Mund të presim plotësisht marrëdhëniet”.
“Po t’i presim ja çfarë ndodh: kursejmë 500 miliardë dollarë,” tha presidenti, pa e bërë të qartë se si e llogariti këtë shumë. Administrata Trump po analizon mënyra për të ndëshkuar Pekinin për atë që e ka cilësuar si fshehje informacioni lidhur me virusin në fund të vitit të kaluar dhe fillim të 2020 kur po përhapej epidemia në Wuhan, më pas në Kinë dhe pastaj në të gjithë globin.
Shtetet e Bashkuara mund t’u japin amerikanëve të drejtën të hedhin Kinën në gjyq për dëmshpërblime lidhur me pasojat e COVID-19 në ekonomi dhe në jetë njerëzish. Deri tani SHBA numëron 84 mijë të vdekur, numri më i lartë i viktimave krahasuar me çdo vend tjetër. Sipas disa parashikimeve pritet që deri në gusht të vdesin 147 mijë vetë.
ShBA mund të vendosë gjithashtu sanksione, apo ndalim udhëtimesh në Kinë ndërkohë që ua kufizon mundësinë bizneseve amerikane t’u japin kredi kompanive kineze.
Presidenti pohoi se nëse SHBA vendosin kërkesa të tilla ndaj kompanive kineze, shumë prej tyre mund të zgjedhin të tregtojnë aksione në bursën e Hong Kongut apo Londrës. Që nga fillimi i 2019, 156 kompani kineze me një vlerë totale prej 1.2 trilionë dollarësh tregtohen në bursën amerikane.
Diskutime rreth kësaj post