Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin, më 18 dhjetor do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës.
Një nga deputetet e PS që është pjesë e këshillit të mandateve, Klotilda Bushka gjatë një interviste televizive u shpreh se PS do të votojë pro kërkesës së SPAK.
“Në parim ne si mazhorancë jemi pro kërkesave të organeve të drejtësisë të cilat janë të pavarura. Dy rezultate janë shumë të dukshme, e para kanë fituar emërimet në sistem me meritokraci. BE bën verifikim të thellë. Emërimet në të gjitha organet e drejtësisë, pra meritokracia dhe pandikueshmëria në emërimin e atyre që janë në sistemin e drejtësisë është e arritur.
Këshilli i Rregullores dhe Mandateve vepron dhe nuk ndikohet nga asnjë vendim paralel. Ajo që doja të thoja është se ne nuk flasim për raste specifike por duke besuar te drejtësia e re dhe duke pranuar që ndoshta nuk është perfekte dy gjëra janë të rëndësishme për t’u thënë. Kemi sistem tërësisht të pavarur, sistem që duhet të prodhohet me veprimet dhe vendimet e veta”, tha Bushka.
Mes tymueseve PS miratoi në Kuvend rregulloren e re e cila përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend. Bushka nënvizoi se “sanksione të tilla ndaj deputetëve ndodhin kudo në botë.”
Kaosi i Rithemelimit sipas Bushkës lidhet me problemet e Sali Berishës me drejtësinë.
“Me dhunë me këto teka, nuk zgjidhen gjërat. Tekat dhe dhuna janë për veprime që ndërmerren për situatën në të cilën ndodhet Berisha. Kushdo individ i cili përballet me drejtësinë ka të drejtën e vetë të gjejë rrugët sesi do e bëjë mbrojtjen. Krahu i djathtë në këto raste të bëhet avokati, por në këtë rast avokat është bërë partia. Halli i Berishës u transferua në krizë të Pd dhe në Kuvend”, shtoi ajo.
“Kur opozita ka sugjerime konstruktive ne i kemi parasysh. E drejta për ngritjen e komisioneve hetimore duhen kushtëzuar me disa caqe kushtetuese. Janë problematike që kanë të bëjnë me mospërputhjen e kritereve kushtetuese. Pra kërkesat duhet të vijnë sipas caqeve kushtetuese. Nëse nuk bien dakort të shkojnë në kushtetuese, është një tjetër mekanizëm që e zgjidh”.
Një apel ajo pati ndaj opozitës, të cilës i bëri thirrje të heqë dorë nga kaosi dhe të ulet për diskutime në lidhje me çështje të rëndësishme.
“Sjelljet e opozitës janë të papranueshme. Ata duhet t’i kthehen një orë e më parë rrugës së dialogut dhe të shpëtojnë veten. Këto skena duhet të lihen pas sepse janë të turpshme. Të ulemi të diskutojmë. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme, është i ngritur disa kolegë duhen zëvendësuar, por ky komision është proces politik. Duhet të jetë gjithëpërfshirës duhet të jetë një proces ku janë partitë të përfshira. Ne na kanë zgjedhur që tu shërbejmë qytetarëve.”
Një koment pati dhe për marrëveshjes e Shqipërisë me Italinë për strehimin e refugjatëve.
“Është një nga ato protokolle që i shërben edhe forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë me BE. Është akt humanizmi që i shërben Shqipërisë në dy aspekte. Ndihmues në emigracionin dhe për të treguar se Shqipëria nuk është një vend që rri mënjanë. Nga ana ligjore është respektuar më së miri. E kemi shqyrtuar në komisionin e ligjeve. Nuk cenohet integriteti territorial. Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta marrë në shqyrtim kërkesën përpara se ajo të kalojë në Kuvend. Ne e kemi ndërprerë procedurën e ratifikimit duke pritur shqyrtimin e kërkesës derisa Gjykata të shprehet me një vendim. Pas vendimit do veprojmë. Është në interesin e Shqipërisë që kjo çështje të mos vonohet.”
Diskutime rreth kësaj post