Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka refuzuar kërkesën e “Listës Serbe” për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit për “Trepçën”, të miratuar disa javë më parë nga Kuvendi i Kosovës.
Në vendimin e gjykatës, të publikuar mesditën e kësaj të hëne, thuhet se ligji për “Trepçën” është kushtetues për nga përmbajtja dhe për nga procedurat e ndjekura për miratim në Kuvend.
“Si përfundim, gjykata gjen se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kanë paraqitur prova, që tregojnë sesi dhe përse ligji i kontestuar për ‘Trepçën’ ka shkelur Kushtetutën, qoftë në procedurë, qoftë në përmbajtje. Gjykata gjen se kërkesa e parashtruesve është qartazi e pabazuar në Kushtetutë, në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës, në pajtim me nenin 42 të ligjit dhe në pajtim me rregullin 36 (1) (d) dhe 36 (2) të Rregullores së punës. Prandaj, gjykata deklaron se ligji nr. 05/L-120 për ‘Trepçën’ është në pajtueshmëri me Kushtetutën, që do të thotë se ai është kushtetues”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ligji për “Trepçën” e kthen kompleksin në një shoqëri aksionare, ku qeveria ka në pronësi 80% të aksioneve. Beogradi, duke pretenduar ende pronësinë, kërkon futjen e “Trepçës” në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, të ndërmjetësuara nga BE. Për këtë shkak, që nga miratimi i këtij ligji në fillim të tetorit, përfaqësuesit e pakicave serbe kanë bojkotuar institucionet e Kosovës.
Diskutime rreth kësaj post