Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se nëse kryeministri Edi Rama bën marrëveshje me opozitën parlamentare për mospranimin e koalicioneve zgjedhore, opozita duhet të shkojë në shtëpi.
Sipas Mediut, kjo është një kërkesë absurde, pasi nuk mund të ndalohen koalicionet dhe opozita nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë, por duhet të reagojë fort.
“Nëse Rama miraton ndryshimet kushtetuese me opozitën parlamentare për koalicionet parazgjedhore është mirë që opozita të shkojë në shtëpi, se nuk ka më opozitë. Do të thotë cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar situatën në vend.
Ndeshja me të keqen kërkon organizim maksimal. Nëse ne pranojmë makinacione, që kanë të bëjnë me pazare numrash, jemi përballë një situate ku rrëshqasim në diktaturë. Ky është manipulim i hapur flagrant, që Rama mund t’i bëjë procesin zgjedhor. për të shmangur këtë opozita duhet të flasë sot fort. Nëse nuk flet fort dhe pret se çfarë do të ndodhë, do të ketë pasoja”, tha Mediu.
Diskutime rreth kësaj post