Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, i cili së fundmi është përfshirë në një fushatë brenda së majtës “Shqipëria mbi partinë”, u përmend në media se është kërcënuar nga rryma ekstremiste islamike për qëndrimet që ai ka mbajtur ndaj fesë islame.
Bëhet fjalë pikërisht për seancat gjyqësore që po zhvillohen kundër imamëve të arrestuar, të cilët kanë përmendur me emër deputetin Blushi, për arsyen, sipas tyre, se ka sharë fenë islame. Por i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, deputeti socialist mohoi që të ketë marrë kërcënime të drejtpërdrejta, përveçse atyre që kanë shkruar mediat dhe gazetarët që ndjekin seancën e imamëve. “Me sa di, këto kërcënime janë bërë gjatë gjyqit të imamëve përgjatë kësaj jave dhe burimi i lajmit janë gazetarët që kanë ndjekur seancën dhe jo unë. Ky është një informacion nga seanca gjyqësore”, thekson deputeti Blushi.
Ndërkohë që gjatë një seance gjyqësore, imami i arrestuar, Genc Balla ka thënë se Ben Blushi ka folur fjalë shumë të pista ndaj myslimanëve dhe islamit. “Nëse do të zbatohej ligji i Sheriatit, atyre personave që shajnë Allahun u pritet koka. Do t’u vijë radha dhe atyre”, tha i pandehuri në seancën gjyqësore. “Sipas këtyre indicieve, mendohet se porosia për kërcënim me “prerje koke” ndaj Ben Blushit, mund të jetë dhënë, drejtpërdrejt, nga segmente jashtë sallës së gjyqit të imamëve, por nga i njëjti burim, mësohet se fijet e këtij kërcënimi, të çojnë te Rruga e Kavajës”, kanë raportuar mediat e ndryshme në vend në lidhje me këto kërcënime që janë bërë në drejtim të Blushit. Gjithsesi, nga policia e Tiranës nuk ka asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këto kërcënime.
Diskutime rreth kësaj post