Aksidenti i rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm pranë fshatit Gosë të Kavajës tronditi banorët e zonës dhe jo vetëm. Tre viktima dhe një tjetër që mendohet se ka vdekur, por trupi i tij mund të ketë përfunduar në ujërat e kanalit, janë pasojat e këtij aksidenti.
Këto pamje të rënda tregojnë momentin kur trupat e pajetë nxirren nga makina. Në vendngjarje ndodhet policia, por askush prej tyre nuk ndërhyn në momentin që persona të tjerë tërheqin trupat në mënyrë ç’njerëzore edhe pse kanë kërkuar ndihmë, pasi në video dëgjohet kërkesa e tyre për një barrelë.
Sipas dëshmitarëve dhe banorëve të zonës, makina ka dy ditë që ndodhet në kanal, por një fakt të tillë policia e mohon, duke thënë në një deklaratë zyrtare se aksidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:16.
Por, nëse shikoni me kujdes momentin kur njëri nga viktimat nxirret nga makina, duket qartë se ai person nuk ka vdekur ditën e sotme, madje edhe dëshmitarët thonë se ngjarja ka ndodhur ditën kur reshjet e shiut përfshinë gjithë Shqipërinë, pra dy ditë më parë.
“Ne 100 her kalojm aty po nuk i shkonte mendja ndonjerit se eshtë urë dhe me ujë por besoj se ka renë ate natë qe ka pas shum shi para dy neteve. Aman ca te shikoje jemi habit se nuk ka as frenata as gje ura nuk esht shum e lart nuk e di”, ka thënë një nga të pranishmit në vendngjarje.
Viktimat e këtij aksidenti janë Viron Kamberaj, 27 vjeç, drejtuesi i mjetit, Kejdi Tepexhiu, 22 vjeç dhe Matilda Kule, 32 vjeçe, të tre nga Fieri, të cilët po udhëtonin me një makinë Volkswagen.
Ju kërkojmë ndjesë për publikimin e këtyre pamjeve të rënda, por këto imazhe flasin më shumë se deklaratat e dhëna deri tani, ndaj vlerësojeni ju se kush ka të drejtë, policia apo banorët, duke parë videon e mëposhtme.
Diskutime rreth kësaj post