Akt force apo dobësie? Pluset dhe minuset e tërheqjes nga zgjedhjet në Kavajë. Opozita humb një tjetër kartë në dialogun me qeverinë dhe rrit mbështetjen publike ndërkombëtare për Ramën
Nga Mentor Nazarko
Të gjithë dolën bllof me parashikimet për Kavajën. Dikush tha se nuk do të ketë marrëveshje pa u mbyllur zgjedhjet në Kavajë. Dikush tha se zgjedhjet në Kavajë duhet të ndalohen me çdo kusht, qoftë dhe me banda. Dikush tjetër tha se Rama me Bashën e kanë marrëveshjen, por presin Kavajën. Dikush tjetër, madje, pjesa më e madhe e kritikëve të Ramës thanë se ai do të vazhdojë në marrëzinë e vet, sepse do të fitojë pa opozitën, jo vetëm Kavajën, por gjithë parlamentin. Sot, një pjesë e kritikëve, në mënyrë realiste duartrokitën Ramën, që nuk përsëriti një 21 janar të dytë.
Ka disa arsye pse të gjithë dolën bllof për Kavajën.
Kushtetutshmërisht nuk ka anulim zgjedhjesh nga vendimi i një partie, apo i disa partive. Anulimi nuk ekziston si koncept ligjor, veçse nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra as që mund të mendohej në kushte normale se do kishte tërheqje të kandidatit. Nuk qarkullonte në ajër një lajm i tillë.
Të gjithë dolën bllof dhe për një arsye tjetër. Lajmet, deri në moment të fundit, të çonin tek skenari i përplasjes së pazakontë në Kavajë si askund tjetër në Ballkan apo gjetkë: një parti politike që synon të bllokojë zhvillimin e zgjedhjeve në një bashki. Policia përgatitej me 1000 vetë, Basha ndiqte planin sekret me demokratët kavajas, apo misionarët e tjerë. Rama, si duket, kishte ruajtur fshehtësi të plotë për vendimin e tij, por dhe ai mund të ketë qenë vendim i momentit të fundit.
Atëherë, çfarë ndodhi?
U ndoq skenari i mendjeve të arsyeshme brenda opozitës si Dash Shehi, që tha se Kavaja duhet të bëhet pjesë e dialogut. U bë? Nuk dihet nëse ka qenë, por me siguri do të bëhet. Kësisoj, mendjet e paarsyeshme mbeten pa tekst dhe aksion.
U shmang skenari i përplasjes së fortë pranë kutive të votimit në Kavajë, skenar në të cilin policia do të duhej të ndërhynte me forcë të madhe, sepse pengimi i zgjedhjeve është krim i rëndë. Si do ndërhynte? Si ndërhyn policia amerikane, gjermane në raste bllokimi rrugësh, hekurudhash, apo sheshesh pa leje, apo veprimesh të dhunshme të protestuesve. Sipas këtij skenari, Shqipëria do të bëhej si Maqedonia, me dhunë politike. E ky skenar është i papranueshëm për bashkësinë perëndimore. Dhuna në Shqipëri, si në Maqedoni, do ta bënte Ballkanin si tokë përplasjeje të Perëndimit me Rusinë, sepse paradoksalisht kriza nuk do quhej krizë në një vend të vockël, por krizë e gjeneralizuar në një rajon problematik. Dhe Rusia do gjente legjitimitet për të kritikuar mënyrën se si Perëndimi ka luajtur në Ballkan. E Perëndimi nuk do ta lejojë këtë. Me gjasë për këtë arsye, Perëndimi, SHBA-ja më së shumti, i ka kërkuar Ramës ta shmangë me pretekste legale zhvillimin e zgjedhjeve në Kavajë dhe përplasjen e dhunshme afër kutive të votimit atje. Ka kërkuar apo jo Perëndimi anulimin e zgjedhjeve në Kavajë, kjo nuk ka shumë rëndësi.
Po çfarë akti është ky? Force apo dobësie?
Rama nuk po tregon frikë, sepse nga dhuna eventuale në Kavajë ai veçse përfitonte taktikisht: para pjesës së moderuar të qytetarëve do bënte legjitimistin dhe viktimën. Para perëndimorëve gjithashtu, do tregonte me gisht opozitën e drejtuar de jure nga Lulzim Basha, si opozitë të dhunshme. Përtej bezdisë për lëshimet që po bën, Rama po tregon forcë: ai mendon se e ka aq të madh kreditin elektoral sa mund të bëjë lëshime kaq të mëdha si anulimi i zgjedhjeve në një bashki. Aq i sigurt është në fitoren e tyre, sa dhe mund t’i shtyjë në një kohë tjetër, apo njëkohësisht me ato parlamentare.
Për më shumë tërheqja nga Kavaja, shtohet si mall plus në shkëmbimet që do bëhen në dialog. Pra akti i Kavajës tregon se dialogu do të vazhdojë. Ai i heq opozitës dhe një argument tjetër në ballafaqimin me ndërkombëtarët.
Sepse si u duk pas veprimit të Ramës me Kavajën, ndërkombëtarët dhe një herë duartrokitën veprimin e tij. Opozita paradoksalisht, dhe familjarisht ashpërsoi gjuhën ndaj Ramës, ndërsa populli i çadrës, naiv taktikisht, i lodhur nga qëndrimi i gjatë në vapë brenda saj, duartrokiti tërheqjen e qeverisë nga zgjedhjet në Kavajë. Është paradoksale: Rama, një rebel autoritar, po mbështetet nga Perëndimi, ndërsa Basha, politikan tradicionalisht i moderuar, i formuar në Perëndim, po rezulton si politikani më radikal në Ballkan.
Pa rënë në grackën e krahasimit të ofertave të McAllister, të Ramës në dialogun e parë, të Ramës në dialogun e dytë, etj., po duket qartë se opozita ka hequr dorë nga qeveria teknike. Po duket qartë që oferta e konsultuar e Ramës me ndërkombëtarët mundëson kontroll teknik të zgjedhjeve. Dhe në këto kushte, opozitës së turpëruar para ndërkombëtarëve, iu bë një koncesion i ri. Iu dha Kavaja në këmbim të Shqipërisë. Dhe mosshtyrjes së datës së zgjedhjeve, eventualisht.
Çfarë mbetet tjetër nga kërkesat e opozitës? A kontrollohet plotësisht përdorimi i parave të drogës, apo parave të pista në përgjithësi, në zgjedhje? Kjo gjë është plotësisht e pamundur. Sepse është e pamundur të kontrollohet paraja tjetër, e tenderave, e përqindjeve që të zgjedhurit, të punësuarit e partive, bizneset i japin partive për të tjetërsuar vullnetin, para se qytetarët të shkojnë në votime. A nuk janë dhe ato të pista? Pse opozita nuk kërkon gjithashtu që të kontrollohen dhe financat e partive? Kush na garanton se ato financa janë të pastra gjithashtu?
Shumë pak argumente mbeten në favor të opozitës, megjithëse një argument i shtohet. Nëse zgjedhjet në Kavajë, mund të shtyhen nëpërmjet tërheqjes së kandidatëve, ato mund të shtyhen dhe në nivel të Republikës, nëpërmjet tërheqjes së kandidatëve. Po a do shkojmë në këtë skenar të pazakontë? Jo, sepse ky precedent lokal do të shndërrohej në precedent kombëtar dhe ndërkombëtar. /Konica.al
Diskutime rreth kësaj post