Katër persona kanë vdekur nga rrëzimi i pemëve, si shkak i një stuhie në veri të Evropës, transmeton BBC.
Nga aksidentet si shkak i stuhisë, tre persona kanë vdekur në Holandë dhe një tjetër në veri-perëndim të Gjermanisë.
Erërat deri në 140 kilometra në orë kanë shkaktuar edhe kaos në transport.
Të gjitha udhëtimet me tren në distanca të gjata, si dhe shumë shërbimet rajonale, janë anuluar gjatë ditës së sotme në Gjermani.
Fluturimet në aeroportin Schiphol në Amsterdam janë pezulluar për një kohë, për shkak të dëmeve që janë shkaktuar në zonën e nisjes.
Më shumë se 300 fluturime janë anuluar dhe aeroporti u ka thënë pasagjerëve, se ata duhet të kontrollojnë online, se kur mund të realizohen fluturimet e tyre.
Stuhia e quajtur Friederike në Gjermani, do të përcjellë këtë shtet nga perëndimi në lindje, para se të kalojë në Poloni gjatë natës.
Meteorologët gjermanë kanë paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë në ambiente të brendshme.
Si shkak i stuhisë, shumë shkolla janë mbyllur, njofton Radio Europa e Lirë.
Kjo stuhi ka shkaktuar erëra të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën dhe të enjten në mengjes, duke rrëzuar pemët dhe duke shkaktuar problem me energji elektrike në mijëra shtëpi.
Diskutime rreth kësaj post