Nga Fatos Lubonja
Rezultati i këtyre zgjedhjeve përmban disa paradokse që kushdo që ka një fije racionaliteti e ka të vështirë t’i shpjegojë me reformën në drejtësi, me estetikën urbane apo me sjelljen prej rock-star-i të Ramës gjatë fushatës – sikurse lexojmë aty-këtu të na e shpjegojnë njerëz nga kampi i mbështetësve të Kryeministrit. Në fakt, rezultati përmban katër paradokse që lipset të shpjegohen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.
Paradoksi i parë nis me faktin që, sipas të dhënave të Gallupit, Shqipëria e Edi Ramës u bë e dyta në botë, pas Sierra Leones, për sa u përket personave që duan të braktisin vendin (56%). Kujtoj se Sierra Leone po masakrohet në luftëra civile dhe ka një moshë mesatare jetëgjatësie 30 vjeç dhe se, pas Shqipërisë, në renditje vjen Liberia dhe pastaj Kongoja. Atëherë, si shpjegohet që, megjithatë, partia në pushtet shpërblehet me vota, madje jo thjesht me një ruajtje të vendit të parë, por me rritje vote? Po të dëgjoje fushatën elektorale të Edi Ramës, ky paradoks edhe do të mund të shpjegohej me thirrjen e tij për t’i braktisur partitë e vogla “shushunja” me të cilat ai paska qenë i detyruar të (keq)qeverisë për shkak të sistemit klientelar dhe të korrupsionit që e mbiquajti “të tepsisë”.
Mirëpo ky arsyetim na çon te një paradoks i dytë. Me gjithë akuzat e Ramës kundër shushunjave, të cilave, madje, iu shtuan edhe akuzat e PD-së së Lulzim Bashës, partitë bashkëqeverisëse të Ramës LSI dhe PDIU njohën rritje të votuesve dhe të deputetëve në krahasim me vitin 2013. Dhe të mos harrojmë që në votime kanë dalë rreth 140 000 votues më pak sesa në 2013-n.
Paradoksi i tretë lidhet me pyetjen: si shpjegohet që rritja në 56% e të pashpresëve nuk ndikoi që të rritet sadopak elektorati opozitar i PD, qoftë edhe thjesht si ndëshkim, por, përkundrazi, pamë një bjerrje të mëtejshme të deputetëve të saj duke arritur minimumin historik? Një shpjegim mund të ishte fakti i të kaluarës së kësaj partie, fakti që edhe ajo ka qenë pjesë e të njëjtit sistem. Disa thonë se për këtë ka ndikuar edhe mosangazhimi i pd-istëve që Basha i përjashtoi nga listat, si dhe i atyre që menduan se ai do të bënte bashkëqeverisje me Ramën.
Po këto argumente na çojnë te një paradoks të katërt: mirë që shqiptarët nuk paskan dashur të votojnë PD për këto arsye, por si ka mundësi që një pjesë e tyre nuk votuan aq sa për të nxjerrë qoftë edhe vetëm një deputet nga partitë e Blushit dhe Bojaxhiut, por dhanë më shumë vota për parti si PDIU apo Social Demokratja e Tom Doshit, që janë aleate të djeshme dhe të sotme të partisë në pushtet?
Është e qartë se shpjegimet e këtyre katër paradokseve, pra edhe i këtij rezultati paradoksal, nuk mund të konvergojnë veçse në një pikë: kemi të bëjmë me rritjen e agresivitetit të sistemit klientelar, korruptiv, të ndarjes së territorit në duar të fortësh – oligarkë apo të lidhur me paratë e drogës – që po i shndërron shqiptarët gjithnjë e më shumë – nga halli apo nga malli – në bashkëpunëtorë të këtij sistemi. Përdora termin bashkëpunëtor duke pasur parasysh thënien e Orwellit se një popull që voton politikanët e korruptuar nuk është viktimë, por bashkëpunëtor i tyre.
DOBËSIA E KRONIKE DHE AKUTE E PD-SË
Si anë tjetër e medaljes së këtij shkaku të rezultatit kemi dobësinë e opozitës. Kur flas për dobësi të opozitës, kam parasysh mbi të gjitha dobësinë e PD-së, por nuk mund të mos analizohet edhe rezultati i dobët i partive të reja opozitare si LIBRA e Blushit dhe SFIDA e Bojaxhiut.
Për sa i përket PD-së, mund të flisja për dy dobësi të saj: një “kronike”, që ka të bëjë me kohën që ka qenë në pushtet, dhe një “akute”: dobësia që tregoi Lulzim Basha në momentet parazgjedhore.
Dobësia kronike e PD-së lidhet me faktin se, në pushtet, edhe ajo ka vepruar sipas parimit “vidh shqiptarët për të vjedhur votën dhe vidh votën për të vjedhur shqiptarët”, se nuk ka përfaqësuar interesat e 56%-shit, por të një pakice gjithnjë e më të kriminalizuar, pra se edhe ajo ka dhënë një kontribut jo të vogël për ta çuar shifrën e të pashpresëve në 56%. Kjo e sëmurë kronike, nuk mund ta fitonte luftën me Ramën e LSI-në me të njëjtat mjete si të tyret, sepse, ndërkaq, këta i kishin marrë edhe Bashkinë e Tiranës, duke mbledhur rreth vetes jo vetëm paratë e oligarkëve, por duke shtuar edhe ato të njerëzve të krimit.
Duke e ndjerë këtë dobësi PD u kujtua në gjysmën e mandatit të Ramës të denonconte njerëz të krimit të futur në Parlament dhe në disa bashki, të denonconte kanabizimin e vendit, por, për shkak të dobësisë kronike, me këto aksione nuk arriti të prekte sensibilitetin e 56%-shit. Atëherë u fut në çadër. Por edhe aksioni i çadrës (siç rezultoi) nuk synonte zemrat e këtyre njerëzve, por sensibilizimin e të huajve. Në momentin kur u pa se këta nuk e mbështetën, Basha doli nga çadra dhe u fut në një marrëveshje të turpshme me Ramën duke i shtuar dobësisë kronike të PD-së edhe dobësinë e tij akute.
Gjithsesi, mëkati më i madh i Bashës nuk është se humbi zgjedhjet. Mëkati i tij më i madh është që, ashtu siç e menaxhoi situatën e krijuar, me marrëveshjen me Ramën e qëndrimin në fushatë, ai mori rolin e gjethes së fikut për mbulimin e një realiteti dramatik që vetë e kishte denoncuar (rrejshëm) për tre muaj në çadër. Fakti që LSI, ashtu sikurse dhe PDIU u rrit në numër votuesish dhe në numër deputetësh, megjithëse ndaj tyre u hap një front i dyfishtë elektoral për t’u rrëmbyer votën, tregon se me vendosjen e gjashtë ministrave dhe shtyrjen një javë të zgjedhjeve nuk mund të neutralizohej kurrsesi sistemin klientelar e i parave të drogës.
PROVA E VËSHTIRË E PARTIVE TË REJA
Në kontekstin e këtij realiteti dramatik duhet folur edhe për rezultatin e dobët të partive të reja të sopoformuara si ajo e Blushit apo e Bojaxhiut. Moshyrja e tyre në Parlament bëhet edhe më dëshpëruese për shqiptarët që duan t’i rezistojnë këtij sistemi kriminal, veçanërisht po të kesh parasysh rezultatin e suksesshëm të partive më të vogla të sistemit si PDIU apo partia Social Demokrate e Tom Doshit, që arritën të hyjnë në Parlament duke i shtuar atij edhe katër deputetë nga ata të fortët e super të pasurit e vendit e duke i hequr edhe një rezistent ndaj sistemit.
Rezultati i Libra-s dhe Sfida-s flet për rritjen e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur bashkëpunimin me sistemin e oligarkisë dhe krimit, të ndarjes së territorit në duart e të fortëve, në dëm të numrit të shqiptarëve që duan ta refuzojnë atë. Një qëndrim i tillë duket se tashmë është bërë kulturë dominante politike e popullsisë. Dëshira për të lënë vendin nuk është gjë tjetër veçse faqja tjetër e medaljes së manifestimit të kësaj kulture, sepse ajo flet për dorëzim dhe ky nënkupton edhe nënshtrim dhe bashkëpunim me sistemin.
SI PËRFUNDIM
Kush flet në këto kushte për një boshllëk opozitar që pret të mbushet, kam frikë se sheh një ëndërr me sy hapur. Mjaft të hedhësh sytë përtej Shqipërisë dhe do të shohësh se regjimet autoritare që kontrollojnë votën e qytetarëve, duke mos lejuar rotacion e duke i bërë ata gjithnjë e më shumë bashkëpunëtorë të tyre, mbulojnë pjesën më të madhe të hartës së botës. Nga sa kuptohet prej retorikave të fitimtarit Rama pas zgjedhjeve, me thirrjet e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”, për bashkëpunim të mëtejshëm me Lulzim Bashën, për ndërtimin e një ministrie që do t’i mundësojë qeverisjen direkt me popullin, kuptohet se kërkon ta “mbushë” vetë vakuumin opozitar, duke e rritur këtë kulturë bashkëpunimi edhe më tej.
Pyetja që ngrihet pas këtij rezultati është: A do të transformohen dot partitë opozitare si PD dhe LSI nga parti klientelare dhe oligarkësh, që vjedhin votën për të vjedhur shqiptarët dhe vjedhin shqiptarët për të vjedhur votën, në parti që do të shkojnë vërtet te 56%-shi për t’i bërë rezistencë këtij rreziku? Apo protagonistët e tyre kryesorë do të kujdesen të ruajnë bizneset e interesat personale që kanë kuruar kur kanë qenë në pushet duke u shkrirë kësisoj gjithnjë e më shumë në ndërmarrjen e madhe monopoliste të Edi Ramës?
A do t’u bashkohen ato, që nesër, atyre qytetarëve te Parku i Autobusëve të Tiranës që vetëm një javë pasi u mori votën Edi Rama ua rrethoi parkun e fëmijëve, sepse ia ka dhënë për ndërtim ndonjërit prej oligarkëve që i ka financuar fushatën, apo do të heshtin siç kanë bërë rëndom, sepse ky oligark ka mbushur dje edhe xhepat e tyre? A do t’u bashkohen atyre qytetarëve Blushi, Bojaxhiu dhe njerëzit e tyre në emër të një Shqipërie më të jetueshme për të gjithë, më të lirë dhe më demokratike apo do të struken nga taksidarët, policët, shantazhuesit, korruptuesit, votëblerësit dhe denigruesit e sistemit kriminal?
Diskutime rreth kësaj post