Presidenti katalanas, Carles Puigdemont thotë se rajoni nuk do ta pranojë planin e Madridit për qeverisje direkte, duke e quajtur atë sulmin më të rëndë ndaj institucioneve në Katalunjë që nga diktatura e gjeneralit Franco, nën të cilën autonomia rajonale u hoq.
Rajoy aktivizoi nenin 155 të Kushtetutës, që lejon vendosjen e sundimit të drejtpërdrejtë në rast krize mbi çdo rajon autonom të vendit. Ai nuk shkriu Parlamentin, por foli për zgjedhje të reja. Përdorimi i nenit 155 të Kushtetutës ka ndezur kritika në Katalunjë, ku shumëkush mendon se kjo ka çuar në pezullimin e fuqive vetëqeverisëse të rajonit.
Kryetarja e Parlamentit katalanas, Carme Forcadell i quajti masat një “grusht shteti de facto”.
“Është një grusht shteti brenda një vendi anëtar të BE-së”, tha ajo, duke shtuar se Rajoy po kërkonte të rrëzonte një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Zv.presidenti katalanas, Oriol Junqueras tha në anën tjetër se Rajoy dhe aleatët e tij nuk kishin pezulluar thjesht autonominë, por kishin pezulluar demokracinë.
Kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau nënvizoi se ky ishte një sulm serioz ndaj të drejtave dhe lirive, jo vetëm në Katalunjë, por edhe më gjerë. Iñigo Urkullu, president i qeverisë në rajonin gjysmëautonom bask tha se, përdorimi i nenit 155 ishte ekstrem dhe joproporcional.
Sidoqoftë, eksponentë politikë katalanas që janë kundër pavarësisë mendojnë se, mbajtja e zgjedhjeve të reja mund të rikthejë vullnetin e mirë dhe demokracinë në rajon. Aktivizimi i nenit 155 nga Mariano Rajoy ishte paralajmëruar ditë më parë, por shpallja e tij, sidoqoftë pati një impakt të madh.
Neni nuk është evokuar asnjëherë më parë, ndaj ka një lloj misteri rreth tij. Edhe pse Rajoy këmbëngul se vetëqeverisja e Katalunjës nuk është pezulluar, shumë nuk janë dakord. Heqja nga detyra e Carles Puigdemont dhe pjesëtarëve të kabinetit të tij, për të lejuar ministrat në Madrid që të marrin detyrat e tyre, duket një marrje e pastër në duar e frenave në Katalunjë.
Diskutime rreth kësaj post