Kërkesës së Mariano Rajoy-t drejtuar Senatit për të vendosur kontrollin e drejtpërdrejtë mbi Katalonjën, qeveria rajonale katalanase iu përgjigj me mbledhjen e Parlamentit dhe votimin e fshehtë për deklaratën e Pavarësisë.
Pas diskutimeve që nuk kanë zgjatur shumë, parlamenti katalanas i është drejtuar votimit të fshehtë, nga ku shumica votoi pro shpalljes së njëanshme të pavarësisë.
70 deputetë katalanas votuan pro shpalljes së pavarësisë dhe vetëm 10 prej tyre i thanë jo shkëputjes nga Madridi, ndërkohë që opozita e kishte bojkotuar seancën.
Më herët, kryeministri spanjoll deklaroi se nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të shkarkojë Presidentin katalanas Carles Puigdemont, zëvendësin e tij dhe të gjithë ministrat rajonalë dhe të aktivizonte nenin e kushtetutës që vendos autoritetet të drejtpërdrejtë të Madridit mbi rajon.
Fjalimi i kreut të ekzekutivit u prit me duartrokitje në Senat, ku partia e tij popullore ka shumicën.
“Masat e jashtëzakonshme janë të nevojshme sepse nuk ka zgjidhje tjetër për Katalonjën përveç rikthimit të ligjit, demokracisë dhe stabilitetit. Qeveria e atjeshme po përçan familjet e po gjymton shoqërinë. Njerëzit kanë vuajtur që tani mjaftueshëm; paqartësia e situatës ka larguar bizneset nga rajoni. Ajo që u nevojitet katalanasve nuk është mbrojtje nga imperializmi spanjoll, siç i thonë ata, por nga një minorancë që në mënyrë të patolerueshme e shpallin veten pronarë të Katalonjës”, tha Rajoy.
Diskutime rreth kësaj post