Nga Sokol Balla
Zhurma e madhe që ngriti PD-ja, para zgjedhjes së Gramoz Ruçit si kreu i ri i Kuvendit, mori përgjigjen e merituar për të: Pikës së pari se, së paku, tre prej deputetëve të saj kontribuuan në zgjedhjen e tij në karrigen numër dy të shtetit. Për PD-në, kjo ishte rrufe në qiell të kthjellët, jo thjesht sepse ishte dita e saj e parë në mandatin e dytë si opozitë, por sepse e nisi atë me një aksion, në mëngjes, kundër Ruçit dhe e përfundoi pro tij. Por ky është besoj epilogu i një mënyre të sjelli të Partisë Demokratike, që daton shumë më herët se kaq. Një dështim dje, që s’mund t’i atribuohet vetëm Lulzim Bashës.
PD-ja ka prej vitit 1991, që mundohet të simbolizojë Gramoz Ruçin me komunizmin, duke tentuar të manipulojnë historinë. Gramoz Ruçi vjen vërtet nga Partia e Punës, por jo nga vitet ’60. Ai u ngrit në detyrë në fund të viteve ’80, kur PPSH-ja po kërkonte të rifreskonte fytyrën e saj të vjetruar, nga koha e komunistëve të Paktit të Varshavës, me përfaqësues më koherentë të popullsisë. Eksponentë të ardhshëm të PD-së, në të njëjtën kohë, mbanin poste të rëndësishme në institucione qendrore, – nga universitetet, fakultetet, Lidhja e Shkrimtarëve e deri në Komitet Qendror. Shumë prej tyre kishin parë Parisin, përpara se Gramoz Ruçi të shihte Tiranën, – këtu po flas për kohën para dhjetorit 1990.
Gjithashtu, me lidhjen e tij me ngjarjet e 2 prillit, PD-ja prej 27 vjetësh, po mundohet të thotë një tjetër të pavërtetë për Gramoz Ruçin. PPSH-ja ishte në krye të një regjimi gjakatar, prej 50 vjetësh. Bile, në fund viteve ’80, u bë edhe më bishë, duke vrarë njerëz në kufi, pasi i mashtroi dhe u tha se të arratiseshe, nuk ishte veçse kundravajtje.
Por, nga ana tjetër, pas dhjetorit 1990, askush nuk mund të radhisë tranzicionin shqiptar në rreshtat e parë të tranzicioneve të përgjakshme të vendeve të lindjes. 2 prilli, demonstratat e shkurtit 1991, dhe disa ngjarje të tjera, janë pak për të arritur në përfundimin se patëm rezistencë të përgjakshme të regjimit, ndaj dhjetorit 1990 dhe protestave për pluralizëm,- siç ndodhi në disa vende të lindjes komuniste. Për më keq, askush nuk mund të thotë se këto ngjarje të përgjakshme, ku politika dhe pushteti kanë ngritur armët ndaj civilëve, janë në këto 27 vjet, “monopol” i një partie apo krahu politik.
Në vazhdën e mungesës së sinqeritetit për çështjen Ruçi, nga ana e PD-së, shpesh bëjmë sikur harrojmë, për shembull, se ndryshe nga të dyshuarit politikë nga gjyqi i 21 janarit, Gramoz Ruçi iu drejtua vetëm Shkodrës dhe gjykatës atje. Pa roje, pa avokatë, eci mes mijëra shkodranëve antikomunistë, të irrituar dhe rrëfeu versionin e tij të ngjarjes. Një version që unë nuk them se e besoj. Por siç thotë një personazh tek seriali Narcos: “Nëse kishte diçka për të fshehur, atëherë përse nuk iku me vrap”?
Përse Gramoz Ruçi nuk iu shmang dëshmisë? Përse ai nuk u gjykua kurrë fajtor? Gramoz Ruçi mbeti fajtor vetëm i retorikës së Berishës për 27 vjet, ndërkohë që tranzicioni ynë ka përjetuar ngjarje ku e ku më të zeza, për të cilat ne jemi më të sigurt se kë kanë për autor, më shumë sesa 2 prilli i vitit 1991. Viti 1997, 14 shtatori, Gërdeci, 21 janari janë vetëm disa prej tyre. Të gjithë ata që ishin pas tyre, janë të gjithë aty në Parlament. Disa prej vitit 1991. Po aq sa edhe Gramoz Ruçi.
Tani, le të marrim pak e të vlerësojmë se çfarë mund të ketë ndodhur në votimin e djeshëm ne parlament. Një variant shumë i besueshëm është blerja/shitja e votës. Sipas disa informacioneve, nëse LSI-ja do të merrte pjesë në votim, me gjasë votat pro Ruçit mund të shkonin në 82 ose 83. Por sot, PD-ja dënoi shitjen e votës, duke harruar se “karma is a bitch” ose siç thonë vlonjatët: “ujtë po i bëre në det, kripa ta sjell në gjellë”. Që në vitin 2005, Berisha mori megjithëse nuk i duheshin, parti të majta në qeveri, vetëm për të stresuar kundërshtarët politikë në opozitë, njëlloj si Rama sot, po t’i besojmë të njëjtit variant. Në korrik 2007, 6 deputetë socialistë votuan pro nënkryetarit të PD-së, në një post edhe më të lartë se Ruçi sot, atë të Presidentit të Republikës. Në 2009, Berisha qeverisi për shkak të LSI-së që la PS-në vetëm dhe në fund të mandatit, “mori borxh” tre deputetë socialistë, për të mbajtur në këmbë qeverinë. Bile, i bëri ata edhe deputetë, pak muaj më vonë, nën flamurin e saj. Mes tyre edhe ish-kryetarin e fundit të Kuvendit, nga radhët e PPSH-së, njeriun që pas rrëzimit të bustit të Enverit, dy muaj para 2 prillit 1991, u regjistrua duke thënë se do të dërgonte fëmijët në Skrapar dhe do të nxirrte tanket t’i shtypte kokat njerëzve në shesh. Ironike apo jo, që sot Berisha ankohet përse tre deputetë të PD-së votuan sërish Ruçin i cili erdhi në Tiranë, më vonë sesa Islami në Paris, si pasues në ish-karrigen e tij të vitit 1991.
Por, sigurisht, kjo nuk është vetëm një çështje karme. Sigurisht, ka edhe një pjesë tjetër të fajit që e mban, ekskluzivisht, Lulzim Basha.
Varianti tjetër, ai i manipulimit të votave dje në kuvend, është i pavërtetueshëm, edhe nëse është i vërtetë. Lulzim Basha u ankua dje live, se ia vodhën edhe këto vota, por bëri sikur harroi se PD-ja nuk pranoi të çonte anëtar në komisionin e numërimit. Njëlloj si ankesat për reformën administrative ku nuk çoi, kurrë, asnjë njeri. Ashtu si për reformën në drejtësi, për më shumë se dy vjet. Dështimi i djeshëm i PD-së në këtë kuptim, është ekskluziviteti i Lulzim Bashës dhe i mënyrës sesi ai bëri opozitë pasive për katër vjet pa tre muaj. Ndërsa tre muajt e tjerë ku u soll ndryshe, i mbylli pastaj me një pazar nga i cili, as e ka marrë veten, dhe as del dot kollaj.
Ndjesa e tij sot, në mbledhje të grupit është shumë pak, edhe sepse e bëri në vendin e gabuar. Përballë tij kur foli, ai kishte njerëz thuajse të panjohur, të cilët i zgjodhi vetë për të përfaqësuar votën e PD-së. Por ata nuk erdhën si zgjedhje e vetë partisë, por e tij personale. Ndjesa e Bashës dhe britmat e Berishës, u bënë përballë një grupi amorf, ku së paku tre vetë kanë qeshur me vete. Por sot, duket më e pamundur se kurrë që Paloka, Spaho, apo Vokshi të kenë votuar pro Ruçit, sesa ndonjë tjetër për shembull, që rri gjysmën e ditës me Sadri Abazin për çështje biznesi, duke e ditur që Sadri Abazi rri gjysmën tjetër të ditës me kreun i ri parlamentar të PS-së. Sot, duket më e pamundur që Flor Mima të ketë votuar pro Ruçit, sesa ndonjë biznesmen torollak që deri dje, rrinte gjithë ditën me çunat e rinj të PS-së. Kjo është PD-ja e re e Bashës. Ai e quajti këtë bastin e tij. Tani le ta mbajë dhe mos kërkojë fajin kurrkund, përveç se te vetja.
Si përfundim, për çka ndodhi dje, ka fajtorë, përgjegjës dhe të paaftë, vetëm në selinë blu. Karma sillet si hija e Makbethit, sa nga zyra e Saliut, te ajo e Salianjit. Por kot i bërtasin dhe atij. Nëse PD-ja nuk ndryshon dot, nuk është faji i tij.
Për këtë dhe mëkate të tjera, Berishës i duhet të konsultohet me pasqyrën. S’ka nevojë të hapë shumë sytë. Mjaftojnë vetëm pak sekonda për të kuptuar, se aty përballë qëndron edhe problemi, edhe zgjidhja.
Diskutime rreth kësaj post