Teksa Komisioni Hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” miratoi raportin përfundimtar për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra, juristi Romeo Kara ka paralajmëruar ditë të vështira për kreun e shtetit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, juristi Kara u shpreh besimplotë se zoti Meta do të shkarkohet nga detyra si president nga Parlamenti, ndërsa shtoi gjithashtu se kreun e shtetit e presin edhe beteja të forta ligjore. Sipas tij, epokës së Ilir Metës po i vjen fundi dhe se Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë duhet të zgjidhet nga populli.
“Padyshim që Ilir Meta do të shkarkohet si president, për të mos thënë që ky do të jetë vetëm hapi i parë në theqafjen e tij. Sfida të mëdha ligjore e presin. Kjo politikë është tërësisht “non grata” dhe e padenjë për të zgjedhur presidentin e ri. Atë duhet ta zgjedhë vetëm populli dhe ndryshimet kushtetuese duhet t’i paraprijnë kësaj kërkese të kohës. Presidenti i ri i Shqipërisë, duhet të jetë një zgjedhje vetëm e popullit dhe jo produkt i pazarit të paralajmëruar politik”, shkruan ai.
Nga ana tjetër po dje në rrjetet sociale, juristi Romeo Kara ka bërë një reagim edhe sa i takon shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Juristi shkruan se pas këtij vendimi duhej të ishin sekuestruar pasuritë e familjes Berisha dhe atyre duhej t’u ndalohej dalja nga vendi si dhe të pezulloheshin nga çdo post publik.
“USA na e tha qartë se, Saliu dhe të ngjashmit e tij, pavarësisht se çfarë ngjyre partiake kanë, janë pikërisht ata, shkaku i gjendjes së vendit dhe pengmarrjes së tij. Sot, pasuritë e Saliut dhe bandës së tij, duhej të ishin të sekuestruara dhe atyre duhej t’u ndalohej dalja nga vendi si dhe të pezulloheshin nga çdo post publik. Gjyqtarë, prokurorë, OPGJ, bankierë, policë, administrues të fondeve publike që i shërbejnë bandës Berisha, duhej të ishin sot nën akuzë dhe jashtë sistemit. Ata janë aty, të dhjerë, të trembur, por edhe të rigrupuar për të gjetur shtegun e daljes nga kjo situatë dhe ne i njohim mirë ata, ashtu siç njohim edhe të ngjashmit e tyre. Të gjitha strukturat e larta të drejtësisë duhet ta marrin si sfidë këtë rast, duke u ngritur në nivelin e situatës, të rihapin çdo proces gjyqësor të mbyllur padrejtësisht nga mafia “Berishiane” në drejtësi dhe të realizojnë “de facto” një hap të madh reformues. Pikërisht duke përballuar sfidat reale, mund të realizohet edhe reforma më e ndërlikuar qoftë”, nënvizoi juristi Romeo Kara.
Diskutime rreth kësaj post