Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, ka qenë lojtari i vetëm që është gjendur pranë sulmit të ndodhur ndaj trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka. Në një intervistë ekskluzive për Shkodra.News, Lika tregon momentin e sulmit të agresorit ndaj trajnerit të shkodranëve.
Lika tregon se bashkë me një person tjetër është përpjekur të ndihmojë trajnerin Gjoka. Ai pranon se ka pasur frikë, pasi agresori kishte një thikë të madhe në dorë, por edhe Gjoka është treguar i shkathët, duke u mbrojtur mjaft mirë.
1- Lika, keni qenë bashkë me trajnerin Gjoka në momentin e sulmit ndaj tij, çfarë ndodhi realisht ?
Isha duke dalë nga stërvitja bashkë me prf Nestin dhe po bisedonim për stërvitjen. Pastaj i thashë naten profe edhe u shkëputa rreth 4 – 5 metra. Por, brenda pak sekondave dëgjova që reagoj profesori dhe e kuptova që diçka nuk po shkonte. Pashë që ai djali e goditi, por edhe profesori i’u kundërgjigj. Pastaj, agresori nxorri thikën dhe po ndiqte profesorin. Ky i fundit gjeti një biçikletë aty afër dhe ia përplasi në trup për tu mbrojtur. Pastaj profesori duke u shmangur i rrëshqiti këmba dhe ra në tokë. Aty, agresori u afrua me thikë për ta goditur. Por, ashtu i shtrirë, profesori e goditi me këmbë në gjoks dhe këtu fitoi shumë kohë. Më pas u afrova unë dhe i nxorra çantën përpara. Pastaj, u afrua edhe një person i lokalit që ështa pranë fushës “Reshit Rusi” dhe më pas agresori u frikësua më duket edhe u largua me vrap. Megjithëse ishte me thikë të madhe dhe të them të drejtën na frikësoi edhe neve.
2- Kishit frikë se agresori mund t ‘ju sulmonte edhe juve ?
Jo, për momentin nuk mendova asgjë, por thjesht ishte puna të ndihmoja profesorin. Siç e thashë më lartë, agresori kishte një thikë të madhe dhe nuk mund t’i afroheshim shumë afër për ta goditur.
3- Cilët ishin fjalët e para që ju tha trajneri Gjoka pas largimit të agresorit ? Vijonte të ishte i frikësuar ?
Në fakt, u frikësuam të gjithë. Biles edhe u shtangëm se si mund të ndodhte një ngjarje e tillë. As në vitin 1997 të trazirave nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk arrij ta kuptoj.
4- Pati momente kur trajneri mendoi largimin nga Vllaznia, pasi kjo është hera e dytë që kërcënohet ?
Unë kam qenë me të gjatë gjithë kohës pas kësaj ngjarje. E kuptoj që kjo është tepër e rëndë. Na ka flliqur komplet si qytet. Familja e Gjokës i kërkonte të rikthehej në Tiranë. Prandaj, unë personalisht e falenderoj shumë profesorin, pasi po të ishte dikush tjetër në vend të tij, ndoshta do të ishte larguar direkt. Gjithë Shkodra duhet ti jetë mirënjohës, sepse po del kundër familjes së tij për të qëndruar tek Vllaznia.
5- Më mirë që u shty ndeshja me Luftëtarin ? Pasi kujtojmë se gjirokastritët kishin disa mungesa dhe ndoshta një ditë më shumë kohë mund t’i shërbejë atij ekipi.
Mendoj se ishte e domosdoshme shtyrja e kësaj ndeshje me një ditë. Them kështu pasi asnjë nga çunat e ekipit nuk do e kishte mendjen tek ndeshja. Kjo ngjarje ishte një goditje për të gjithë ne, nga lojtari i parë deri tek i fundit.
6- Si kapiten i Vllaznisë, keni “frikë” se kjo ngjarje mund të ndikojë negativisht te skuadra për sfidën e së dielës ?
Nuk e di. Prandaj unë isha i pari që i kam kërkuar kryetares dhe njëkohësisht presidents së Vllaznisë që ndeshja me Luftëtarin të shtyhet. Kisha frikë së do të ndikonte shumë keq. Por, tashmë besoj se deri të dielën kemi më shumë kohë për tu përgatitur në mënyrën më të mirë për këtë takim. /ShkodraNews
Diskutime rreth kësaj post