Shkarkimet e shumta nga vetingu kanë krijuar vakanca të shumta në sistemin gjyqësor. 157 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar që kur nisi vetingu dhe shumë pak nga këto vakanca janë plotësuar. Kjo solli nevojën për të krijuar një hartë të re gjyqësore, e cila synon ristrukturim të gjykatave e prokurorive. KLGJ ka si plan rrudhjen në maksimum të tyre. Më konkretisht, KLGJ ka propozuar q që të kemi gjykata të shkallës së parë vetëm në nivele qarku, ndërsa Gjykatë Apeli të kemi vetëm një në Tiranë, e cila do mbulojë të gjithë vendin, pra një model si Apeli Administrativ. Por Ministria e Drejtësisë i ka dalë kundër, sepse nuk pranon që të kemi vetëm një gjykatë Apeli. Konflikti zgjat që prej dhjetorit të 2020 dhe nuk ka një zgjidhje. Si përfundim palët kanë vendosur të kthen në pikën zero, pasi do të rifillojë konsultimi mbi hartën gjyqësore.
Një problem që po hasin si KLGJ ashtu dhe KLP është plotësimi i vakancave në drejtësi. Shkolla e Magjistraturës nuk nxjerr mjaftueshëm studentë dhe për këtë arsye është dhënë alarmi. Ndërkohë problemi më i madh është në emërimin e kryetarëve në gjykata e prokurori. Shumica kanë ngelur në veting dhe shumë emra nuk plotësojnë dot kriteret. Për këtë arsye Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të ndryshojë rregulloren duke lehtësuar kriteret për kandidatët që duan të bëhen kryetarë gjykatash. Neni 7, pika 2, ndryshohet si më poshtë: “2. Në rastet kur nuk konkurrojnë kandidatë që plotësojnë kriterin e përvojës minimale profesionale ose kur asnjë nga gjyqtarët e gjykatës nuk e ka këtë përvojë, zëvendëskryetari i gjykatës zgjidhet ndërmjet gjyqtarëve të tjerë, që ushtrojnë funksionin në atë gjykatë, për një mandat njëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje”. Ndërkohë që ndryshimi tjetër përcakton që përjashtimisht, deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjit, kandidati për zëvendëskryetar të gjykatës së shkallës së parë duhet të ketë të paktën tre vjet përvojë profesionale si gjyqtar, ndërsa kandidati për zëvendëskryetar të gjykatës së apelit duhet të ketë të paktën tre vjet përvojë profesionale si gjyqtar i gjykatës së apelit”.
Numri i punonjësve, sipas strukturës organizative të gjykatave të të gjitha niveleve është 1468 punonjës, nga të cilët 408 gjyqtarë dhe 1060 administratë gjyqësore. Në dhjetor të vitit 2020, numri total i gjyqtarëve faktikë në sistemin gjyqësor ishte 359 gjyqtarë (nga 408 të përcaktuar me dekret). Ndërkohë, numri i gjyqtarëve që efektivisht kanë ushtruar funksionin është 287 në të njëjtën periudhë kohore. Kjo nënkupton se sistemi gjyqësor gjatë 2020 ka funksionuar me pothuajse 70% të kapacitetit të tij. Raporti midis gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, pra numri i gjyqtarëve sipas strukturës organizative (408) me numrin e administratës gjyqësore (1060) punonjës (nëpunës civilë gjyqësorë dhe punonjës të tjerë gjyqësorë), rezulton 1 gjyqtar/2.59 staf administrativ gjyqësor.
Diskutime rreth kësaj post