Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në një prononcim për mediat deklaroi se procesi për kandidaturat që do të plotësojnë vendet vakante të lëna në Hipoteka do të rihapet për shkak se nga faza e parë e konkursit nuk janë gjetur profesionistët e duhur.
“Ministria e Drejtësisë para më shumë se 15 ditësh ka bërë shpalljen e vendeve vakante të Hipotekës në gjithë Shqipërinë. Na ka rezultuar që ka pasur kandidatura të dobëta. 25 përqind e tyre nuk kanë plotësuar kërkesat formale ligjore. Nuk arrijmë dot të kemi profesionistët më të mirë të vendit që t’i sjellim në funksionim normal këto zyra që janë gangrena e situatës së krijuar nga pronat”, tha ajo.
Gjonaj ka njoftuar më tej se do të shtyjë me 15 ditë aplikimet për vendet vakante për drejtuesit e Hipotekave në rrethe.
“Na ka rezultuar se për shkak të kësaj cilësie të dobët unë jam e detyruar të ribëj edhe një herë shpalljen e vendeve vakante duke e shtyrë afatin me 15 ditë për 35 zyrat rajonale të Hipotekës dhe njëkohësisht duke i bërë thirrje profesionistëve që plotësojnë kriteret të aplikojnë, të gjithë njerëzve që mendojnë se duhet të kontribuojnë në sistemin e pronave të konkurrojnë brenda këtyre 15 ditëve dhe të plotësojnë dokumentet për të marrë pjesë në këtë konkurs.
Unë ju them me bindjen e plotë se garantojmë procesin transparent dhe meritokratike. Duhet ti japim fund qokave politike dhe të interesit politik dhe financiar për të rritur cilësinë e këtij shërbimi”, u shpreh Gjonaj.
Diskutime rreth kësaj post