Nga Ardit Rada / JAVANEWS
Partia Demokratike ka publikuar listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhje e 25 qershorit pas mbarimit të afatit zyrtar për dorëzimin e tyre në KQZ. Megjithëse pritej që Basha të përjashtonte kritikët nën frymën e Sali Berishës, e papritur ishte përfshirja e disa emrave si kandidatë të PD-së. Herë në renditje të sigurtë e herë të diskutueshëm, emrat në fjalë mund të tejkalohen për dikë që nuk e njeh skenën politike prej kohësh.
Por Lulzim Basha teksa ka vendosur të kandidojë aleatët në vende të sigurta, ka përjashtuar emra të njohur si Arben Imami, Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Eduart Selami etj. Një risi në listën e kandidatëve janë disa personazhe të diskutueshëm. Jo vetëm për emrin, por edhe prurjen në këtë listë. Me përjashtim të Qarku Tiranë ku Basha ka vendosur të kandidojë emrat ‘e dashur’ prej tij dhe Berishës, të bie në sy përbërja e qarqeve të tjerë.
Në Tiranë risi është vetëm emri i vajzës së Azem Hajdarit si e treta në listë apo rikthimi i Halim Kosovës. Ndërkohë, në krye të Shkodrës është emri i historianit Romeo Gurakuqi, ndërsa në Korçë kryeson historiania Valentina Duka. Në Shkodër gjithashtu një ndër emrat pretendentë për t’u zgjedhur si deputet është edhe ish-kreu i Bashkisë, Lorenc Luka.
Nga ana tjetër, në Vlorë kandidon përballë Edi Ramës, kryetari i Ballit Kombëtar. Më saktë, Adriatik Alimadhi renditet i gjashti në listën e Partisë Demokratike.
Risi përbën edhe Gjirokastra lista e së cilës jo vetëm kryesohet nga Tritan Shehu, por pasohet nga nipi i Dash Alikos së Lazaratit, Roland Bejko dhe ish-ministri i Berishës Kosta Barka. Minstra të tjerë të Berishës janë edhe Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Genc Pollo e plot të tjerë. Por Barka është një emër i ‘harruar’ për publikun teksa ka qenë ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverisjen e parë 2005-2009.
Dibra është një tjetër surprizë sa i përket emrave. Qarku në fjalë kryesohet nga ish-drejtoresha juridike e Bashkisë Tiranë dhe e Ministrisë së Brendshme kur këto dy institucione drejtoheshin nga Lulzim Basha në kohë të ndryshme. Ajo është Dhurata Çupi që mori për pak kohë mandatin e Sherefedin Shehut kur ky i fundit garoi për Bashkinë Dibër.
Çupi pasohet nga Xhemal Gjunkshi, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në kohën e qeverisjes “Berisha”…
Po ashtu, Dibra duket se është kthyer në një hambar për aleatë, miq dhe sugjerime të ngushta. I katërti në qarkun verior është Sulejman Gjana, kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, që pretendon se përfaqëson familjen mbretërore të Zogut. Ai zuri vendin e Ekrem Spahisë në krye të PLL-së disa vite më parë.
Ne Fier, Basha kandidon të sigurt në vend të tretë Myslim Murrizin, kreun e PD-së së Lushnjes me banim në Sauk dhe që u bë i njohur kohët e fundit për sherrin me një polic rrugor në Tiranë.
Në Korçë kandidon nën siglën e PD edhe djali i gazetarit Fahri Balliu. Këshilltari i Bujar Nishanit, Klevis Balliu, renditet i katërti në listën e PD. Basha ka futur në listë edhe ambientalistin Sazan Guri. Ky i fundit është i pesti për PD-në në Berat.
Ndërkohë, Preç Zogaj është rikthyer zyrtarisht pranë Partisë Demokratike. Ai garon për Bashën si i pesti në Lezhë.
Në Korçë, Basha ka rikthyer Ligoraq Karamelon. Një figurë e njohur për minoritetin grek, që u largua nga Vangjel Dule dhe krijoi partinë e tij vite më parë.
Diskutime rreth kësaj post