Kryedemokrati Lulzim Basha në një intervistë për News24 iu është përgjigjur akuzave të PS mbi kandidatët e PD-së në Shijak, si të lidhur me krimin.
Basha tha se PD është hartuesja e ligjit të dekri.minalizimit, ndaj dhe sipas tij, është “hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike”. Ai shtoi se nga listat e PD-së janë hequr tre persona për shkak të indicieve në të kaluarën.
Sipas Bashës, sot problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kri.minalizimi që Edi Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike, ndërsa u zotua se pas 25 prillit, nëse ai vjen në pushtet, do të bëjë Vettingun e politikanëve.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Partia Socialiste ditët e fundit ka hedhur akuza ndaj njërit prej kandidatëve tuaj në Shijak, kandidatëve për deputet, si me rekorde kri.minale. A dini diçka më shumë rreth kësaj situate dhe a ka kryer Partia Demokratike atë procesin le të themi e vetëfiltrimit përpara se të listojë këta emra kandidatësh në listën e kandidatëve për deputetë në 25 prill ?
Lulzim Basha: Shiko, duhet të jemi fare të qartë, Partia Demokratike është hartuesja e ligjit për dekriminalizimin. Unë personalisht kam zhvendosur nga listat tona persona për shkak të indicieve në të kaluarën dhe do ta bëj këtë sa herë që të jetë e nevojshme dhe kjo është arsyeja se pse rast pas rasti kam kërkuar unë vetë verifikim nga autoritetet. Pra, është hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike. Sot, problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kriminalizimi që Edi Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike. Fakti që poshtë një boje të hollë emrash kryesisht anonim vazhdojmë të kemi persona me rekorde kriminale, aleatë dhe anëtarë të listës së Partisë Socialiste. Në Durrës, vetëm në Durrës tre emra përfaqësues të bandave të Durrësit. Në Elbasan po kështu e kudo ju e patë në ditën e verës që j’ua prishi qytetarëve të Elbasanit sepse ndonëse kontrollon gjithçka e ndjen humben që e pret dhe mendon se mund të fshihet apo mund të trimërohet vetëm në praninë e bandave, e ka shumë gabim. Qeverisja jonë do të jetë një qeveri e njerëzve me integritet, një qeveri e njerëzve që do të përkushtohen vetëm për t’ju shërbyer qytetarëve të tyre.
Pyetje: Partnerët tanë ndërkombëtarë veçanërisht Ambasada Amerikane ka bërë thirrje disa herë që për elementë të caktuar të cilët nuk duhen të marrin pjesë në zgjedhje, a besoni se komisioni qendror i zgjedhjeve do të bëjë një punë të duhur duke eliminuar, duke i nxjerrë jashtë gare këta elementë që ambasada Amerikane i ka thënë edhe me emra?
Lulzim Basha: Tani është fare e qartë se për shkak të aleancës së Edi Ramës me krimin ligji i dekriminalizimit nuk po funksionon dhe ju e dini fare mirë që ai refuzoi edhe vetingun e politikanëve. Garancia që shqiptarët kanë është që me votën e tyre me 25 prill do të votojnë për një kryeministër dhe për një qeveri që do të bëjë vetingun e politikanëve dhe do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Pa e luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk mund të ecë përpara. Nuk mund të ketë fytyrë njerëzore as kryeministri i ardhshëm, as qeveria e ardhshme nëse është peng i krimit. Prandaj është e domosdoshme të ndahemi nga Edi Rama dhe nga aleanca e tij me krimin, të votojmë për ndryshimin dhe pa diskutim Partia Demokratike dhe unë qëndrojmë garant për të bërë realitet zotimet tona dhe propozimet tona duke përfshirë vetingun e politikanëve në mënyrë që t’ia kthejmë politikën njerëzve, të kthejmë një politikë me fytyrë njerëzorë e cila ka preokupim kryesor t’ju shërbejë njerëzve dhe jo ta shkatërrojë e ta zhvat vendin siç ka ndodhur në këto 8 vite.
Pyetje: Ministrat në kabinetin tuaj, a do të heqin dorë nga mandatet?
Lulzim Basha: Këto janë çështje të cilat nuk i takojnë momentit ku ndodhemi. Sot e rëndësishme është që të jemi të gjithë bashkë dhe unë ju garantoj se do të marr çdo vendim dhe do të ndërmarr çdo hap që garanton transparencë, garanton llogaridhënie të çdo deputeti apo ministri të ardhshëm në qeverinë time para qytetarëve shqiptarë. Ky është modeli europian dhe ne nuk kemi rrugë tjetër përveç rrugës europiane, të cilën unë e njoh shumë mirë. Dhe në fund të fundit zgjedhja nuk është dhe nuk bëhet, lufta, beteja nuk bëhet midis dy individëve, beteja bëhet për fëmijët e Shqipërisë, bëhet për familjet shqiptare, bëhet për ekonominë shqiptare, të cilët do të përfitojnë nga afrimi me Europën. Si do të përfitojnë? Studentët do të përfitojnë bursa për të studiuar në Europ, pedagogët do të përfitojnë mbështetje, universitetet po kështu, fermerët do të përfitojnë para nga fondet e Bashkimit Europian që prodhimi i tyre mos të kalbet por të sjellë mirëqenie për xhepat e tyre, biznesi i vogël do të përfitoj, biznesi prodhues dhe eksportues do të përfitoj, turizmi do të përfitoj, në tërësi rinia do të përfitojë nga investimet europiane.
Dhe që të ndodhë kjo Shqipëria duhet të përparojë drejt Europës. Ndaj pyetja e vërtetë është kush e garanton këtë? Një njëri si Edi Rama që e la Shqipërinë, 8 vjet në vend numëro dhe nuk bëri asnjë hap drejt integrimit europiane apo një qeveri dhe një kryeministër që ka dhënë prova, siç kam dhënë provat me heqjen e vizave, siç kam dhënë provat me rolin tim në futjen, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe po kështu jam i vendosur sepse kam përvojën, kam kontaktet dhe kam vendosmërinë për ta çuar Shqipërinë përpara drejt integrimit europian. Futja e Shqipërisë në Europë, është garancia përfundimtare që asnjë politikan nuk do të luajë më rolin e një sundimtari të çartur, të një aventurieri që merr nëpër këmbë burrat dhe gratë, fëmijët, të rinjtë dhe të rejat e vendit për hir të pushtetit të tij.
Diskutime rreth kësaj post