Papa Françesku nderoi sot kardinalin shqiptar Ernest Simoni, tashmë 95 vjeç, ndërsa ai ishte i pranishëm në sallën Pali VI.
Kardinali i cili vuajti burgim, persekutim dhe kërcënime me vdekje për rreth 28 vite gjatë regjimit komunist, ishte i pranishëm sot në audiencën e përgjithshme në sallën Pali VI.
Papa Françesku e përshëndeti “në mënyrë të veçantë” dhe e falënderoi sepse edhe sot “ai vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u dekurajuar”.
“Sot marr guximin të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë, kardinalin Simoni. Si prift-ipeshkëv ai kaloi 28 vjet në burg. Burgu komunist i Shqipërisë, që ishte ndoshta persekutimi më mizor. Dhe ai vazhdon të dëshmojë. Dhe shumë e shumë si ai. Ai është tani 95 vjeç dhe vazhdon të punojë për Kishën pa u dekurajuar. Faleminderit për dëshminë tuaj. Të gjithë ne kemi lexuar historitë e martirëve të parë të Kishës. Ka edhe këtu shumë: aty ku është Vatikani ka një varrezë dhe shumë janë varrosur këtu. Kur kryhen gërmime, gjenden këto varre. Por edhe sot ka shumë dëshmorë në mbarë botën. Ndoshta më shumë se fillimi. Ka shumë të persekutuar për besimin e tyre”, tha Papa.
Don Ernesti u arrestua natën e Krishtlindjes në vitin 1963, në fund të meshës në Barbullush. Regjimi komunist e kishte akuzuar atë si “armik të popullit” edhe për shkak të meshës përkujtimore të kremtuar për shpirtin e Presidentit Kennedy, i cili kishte vdekur një muaj më parë.
Pasi u lirua, më 5 shtator 1990, ai filloi të shërbente nëpër fshatra, veçanërisht duke ndihmuar njerëzit.
Diskutime rreth kësaj post