Kalendari dhe parfumi ‘Putin’
Rusët do të kenë mundësi që të zgjohen në mëngjes me fjalët e mençura dhe fytyrën e qeshur të presidentit, Vladimir Putin, çdo ditë të vitit 2016, falë një kalendari të ri që porsa ka dalë në shitje nëpër libraritë ruse, shkruan sot Koha Ditore.
Në kalendar, i titulluar “I gjithë viti me presidentin e Rusisë”, Putin shihet në poza të ndryshme çdo muaj, qoftë duke e përqafuar qenin e tij, qoftë pa bluzë derisa peshkon, e qoftë duke shikuar me vendosmëri, derisa ushtron në palestrën sportive.
Secila fotografi mujore shoqërohet me nga një citat personal të presidentit, nga ato më qesharaket deri te ato më seriozet.
Mahnitja e rusëve për presidentin “e plotfuqishëm” po bëhet aq e madhe, saqë së fundmi një parfum burrash, i quajtur “Leaders Number One”, ka dalë në shitje në Moskë për një çmim prej rreth 60 eurosh.
Shishja e zezë, në të cilën shihet profili i Putinit dhe mbishkrimi “Inspiruar nga Vladimir Putin” – i shkruar çuditërisht në anglisht, shkon krejtësisht ndesh me vullnetin e presidentit rus kundër reklamimeve në gjuhën angleze. Gjatë prezantimit të tij, një burrë, bjellorusi Vladislav Rekunov, e përshkruan erën si “e ngrohtë, cilësore, e fortë”. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore)
Diskutime rreth kësaj post