Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli u shpreh dje i bindur se protesta e 12 nëntorit e opozitës, nuk i përmbushi pritshmëritë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Kadilli u shpreh se opozita nuk mund ta rrëzojë kryeministrin Edi Rama me protesta. Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm me votë, duke krijuar fillimisht një alternativë.
“Besoj se protesta nuk përmbushi pritshmëritë e ngritura nga mitologjia e forcës që do arrinte të përmbyste qeverisjen. Besoj se realizoi demonstrim të muskujve që ka në zotërim kjo pjesë e opozitës, por jo domosdoshmërisht, miti që u prit ngjizja e kësaj opozite të re me Berishën dhe Metën. Nuk përmbysen qeveritë, se i mbushet mendja opozitës. Nuk janë protestat e opozitës që rrëzojnë pushtetin”, deklaroi ai.
Po ashtu, Kadilli deklaroi se përfaqësues të opozitës nuk duhet të hedhin akuza në drejtim të njëri-tjetrit, duke veçuar kryedemokratin, Sali Berisha, paraardhësin e tij në detyrë, Lulzim Basha dhe deputetin demokrat, Enkelejd Alibeaj. Madje, Kadilli theksoi se me akuzat e ndërsjella, opozita po e nxjerr veten nga misioni i saj. Sipas tij, Berisha duhet të kujdeset për një alternativë të re.
“Se çfarë besoj unë është pak e rëndësishme. Ajo që unë di, është që ne si opozitë duhet të heqim dorë nga këto lloj akuzash, sepse ne po i heqim kuptimin e vërtetë akuzës ndaj kundërshtarit. Nuk besoj se ai që është në opozitë ka mjetet e korruptimit. Mjetet e korruptimit janë paratë e buxhetit të shtetit, tenderat, koncensionet, këto nuk i jep opozita, i jep pushteti. Nëse opozita katandiset të sulmojë vetveten, ne kemi nxjerrë veten tonë nga misioni. Për mua e dëmton, sa të merret me sulmet ndaj kundërshtarit, duhet të kujdeset për të prodhuar një alternativë të re”, nënvizoi Kadilli.
Mga ana tjetër, analisti Fitim Zekthi është shprehur dje në media se protesta e 12 nëntorit nuk pati asnjë vlerë politike. Sipas Zekthit, e vetmja arritje ishte se qe një protestë e madhe për standardet e një proteste partiake. “
Shqipëria protesta partiake zhvillon gjithmonë. Ishte një protestë e madhe për standardet e një proteste partiake, por një protestë pa asnjë vlerë politike në kuptimin e presionit që ushtrojnë protestat qeveritare ndaj qeverisë”, deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post