Kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike kanë vijuar me takimet për zgjedhjet e 13 qershorit. Kandidati Fatbardh Kadilli ka zhvilluar një takim me demokratët në qytetin e Fierit ku nuk kanë munguar akuzat ndaj kreut aktual të PD, Lulzim Basha.
Kadilli u shpreh se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen pa u menduar aspak pasi nuk ka asgjë të re për t’i sjellë politikës. Ai tha se Basha nuk duhet të zbukurojë humbjen duke u kthyer tek pika zero edhe pas 8 vitesh. Sipas tij PD ka nevojë të bashkohet teksa ka kujtuar se në 4 vite dolën 4 parti nga PD si partia e Jozefina Topallit, Myslim Murrizit, Astrit Patozit e Rudina Hajdarit.
“3 vjet punova në Vlorë, Basha nuk më pyeti kurrë sesi shkoi puna. Kryetari i PD-së duhet të jepte dorëheqjen e parevokueshme. Lulzim Basha për mua është një cikël i mbyllur, nuk ka asnjë fjalë të re për të thënë më për politikën, asnjë fjalë, asnjë përgjegjësi, asnjë gjë se ku gaboi. Nuk ka pse zbukuron humbjen duke thënë se kemi dalë si në 2009. Numri i votave si sigël politike si koalicion, kemi më pak, me 200 mijë votues më shumë kemi 100 mijë vota më pak. Pas 8 vitesh të kthehesh tek pika 0 nuk ke bërë asgjë, ke bërë një vrimë në ujë. Në 4 vjet kanë dalë 4 parti nga PD; Jozefina, Astriti, Murrizi, Hajdari. Partia duhet të bashkohet, partia duhet të jetë e pastër dhe e bashkuar”, – tha Kadilli.
Ndërkohë edhe kandidati Agron Shehaj ka zhvilluar një takim me demokratët në qytetin e Kavajës ku u shpreh se Basha duhet të tregohet i qartë ndaj qëndrimit të tij. Shehaj tha se demokratët kanë humbur, por qëndrimi i Bashës është ende në fitore. Ai u shpreh se kjo nuk është serioze pasi sipas tij nuk mund t’u thuash demokratëve edhe humbëm, por edhe fituam.
“Lidershipi aktual thotë që ne nuk i humbëm zgjedhjet dhe po të themi të vërtetën demokratët janë ata që kanë humbur, sepse lidershipit realisht nuk i ndryshon shumë jeta e përditshme. Janë demokratët ata që vuajnë pasojat e humbjes, janë demokratët që mbetën pa punë, janë demokratët që mbetën pa shpresë si pasojë e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Vij nga sektori privat, vij nga puna dhe jam mësuar të përdor logjikën. Nëse ne nuk dimë t’i japim përgjigje pyetjes, demokratët janë në pushtet apo në opozitë? Ne humbëm, por fituam ishte qëndrimi. Kjo nuk është serioze. Demokratët janë në opozitë prej 12 vitesh. Nuk mund t’u themi demokratëve se edhe humbëm edhe fituam”, – tha Shehaj.
Diskutime rreth kësaj post