Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka dërguar në Kuvend ditën e sotme raportin për vitin 2017 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në raportin e siguruar nga BW thuhet se Shqipëria në tërësi ka përmbushur kushtet.
Në dokumentin në fjalë bëhet e ditur se ka vijuar procesi i përafrimit të legjislacionit tonë me BE, ndërsa reforma në drejtësi është një nga reformat më të thella të ndërmarra.
Po ashtu, nënvizohet fakti se vettingu ngelet një nga pikat kyçe për hapjen e negociatave, ku shpesh herë është folur për në pranverë do të ketë diçka konkrete.
Gjithashtu në raport nuk lihet pa përmendur edhe marrëveshja e 18 majit, mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit demokrat, Lulzim Basha, duke shtuar se ky hap kishte frymë pozitive për integrimin e vendit.
“Marrëveshja e 18 majit 2017 i dha fund bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe përmirësoi klimën politike. Marrëveshja kontribuoi në zhvillimin e qetë të zgjedhjeve parlamentare në qershor 2017, me një proces elektoral gjithëpërfshirës dhe një fushatë më pak të polarizuar.
Parlamenti miratoi me konsensus mes forcave politike tri ligje të paketës së reformës në drejtësi.
Si rezultat i klimës së përmirësuar politike, Parlamenti zgjodhi me konsensus (100 vota pro) anëtarët e tre institucioneve për rivlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, hap thelbësor ky i reformës në drejtësi”- thuhet në raport.
RAPORTI
Kriteri politik
Shumica qeverisëse është e përkushtuar për të bërë çdo përpjekje për të siguruar një dialog politik konstruktiv dhe për të ecur më tej mbi bazat e konsensusit politik që ekziston sa i përket integrimit evropian, në mënyrë që të vijojë ndjekjen e axhendës së reformave në një frymë kompromisi dhe bashkëpunimi. Shprehje e qartë e këtij përkushtimi ishte marrëveshja e 18 majit 2017, e cila i dha fund bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe përmirësoi klimën politike. Marrëveshja kontribuoi në zhvillimin e qetë të zgjedhjeve parlamentare në qershor 2017, me një proces elektoral gjithëpërfshirës dhe një fushatë më pak të polarizuar.
Parlamenti miratoi me konsensus mes forcave politike tri ligje të paketës së reformës në drejtësi. Si rezultat i klimës së përmirësuar politike, Parlamenti zgjodhi me konsensus (100 vota pro) anëtarët e tre institucioneve për rivlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, hap thelbësor ky i reformës në drejtësi. Shqipëria u bë pjesë e projektit të BE – OSBE/ODIHR mbi reformën zgjedhore në vendet e Ballkanit Perëndimor. U miratua me konsensus në Parlament ligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Lufta kundër korrupsionit
Zhvillimet legjislative në luftën kundër korrupsionit përfshijnë miratimin e amendamenteve në Kodin e Procedurës Penale, si dhe të ligjit për institucionet që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, përmes së cilave vendoset krijimi i:
një Prokurorie të specializuar,
një Njësie Hetimi të pavarur
një Gjykate të specializuar.
Ka vijuar trendi pozitiv drejt një bilanci të qëndrueshëm rezultatesh hetimi, ndjekjeje penale dhe dënimi të rasteve të korrupsionit, siç dëshmohet ndër të tjera nga rritja me 8.2% në numrin e rasteve të referuara në Prokurori nga policia në 6 mujorin e parë të 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Lufta kundër krimit të organizuar
Në luftën kundër kultivimit të narkotikëve, në periudhën Shtator 2016 – Shtator 2017, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, u shënua një rritje masive prej 73.459 kg në sasinë e marijuanës/kanabisit të sekuestruar. Lufta kundër kultivimit të kanabisit vijoi me një ritëm të qëndrueshëm, me asgjësimin e 933.014 bimëve narkotike në 2754 parcela, në periudhën Shtator 2016 – Shtator 2017.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia me 1.722.789 në numrin e bimëve narkotike të asgjësuara dhe me 3476 në numrin e parcelave të identifikuara, është rezultat i reduktimit në nivele domethënëse të kultivimit të kanabisit. Rezultatet në identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike ishin gjithashtu pasojë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshi misionet e fluturimit me Guardia di Finanza të Italisë.
Ka vijuar trendi pozitiv drejt një bilanci të qëndrueshëm rezultatesh hetimi, ndjekjeje penale dhe dënimi të rasteve të krimit të organizuar dhe krimit të rëndë. Në 6 mujorin e parë të 2017 u rrit me 25.3% numri i rasteve të dërguara në Prokurori nga Policia, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Diskutime rreth kësaj post