Ndonëse nuk ka dashur të japë shumë detaje nga procesi i vlerësimit të kandidaturave për deputetë, anëtari i komisionit në PD, Besnik Mustafaj tha se puna është ende në fazën e seleksionit të parë ose në sitën e madhe.
Ai thotë se ka personalitete shumë interesante por se sheh se ngelen jashtë emra të vlefshëm duke shtuar në mënyrë metaforike se nuk ka një ‘kandar farmacie’.
Gjithsesi Mustafaj deklaroi se jemi të kënaqur si anëtarë të këtij komisioni pasi nuk ushtrohet asnjë presion.
“Jemi ende në fazën e një seleksionimi të parë, ku do kalohet nga 4 mijë emra në 1 mijë emra, në kuptimin, do bëhet sita e parë e madhe. Jam i kënaqur sepse shoh që ka personalitete shumë interesante, me CV shumë të pasur, kjo më jep mua të kuptoj se ekipi i ardhshëm qeverisës i PD do jetë i aftë për të përballuar sfidat. Është një punë që apriori nuk mund të jesh i kënaqur sepse sheh që ngelen jashtë përzgjedhjes emra të vlefshëm por duke mos pasur një kandar farmacie gjithmonë e mbart mundësinë e gabimit dhe brerjes së ndërgjegjes. Ne nuk kemi informacione a janë të lumtur apo jo. Jemi të kënaqur se nuk po ushtrohet asnjë presion mbi ne, të paktën mbi mua, po s’kam dëgjuar as kolegët. Ka shumë rëndësi që të punojmë me besim në vete dhe të qetë”, deklaroi Mustafaj.
Diskutime rreth kësaj post