Duke vijuar me serinë e ngjarjeve kriminale në qytetin e Durrësit, gazetari Artan Hoxha ka treguar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 se plagosja e Plarent Dervishajt gjatë një atentati ka lidhje me atentatin tjetër ndaj ish-prokurorit Arian Ndoji ku Dervishaj akuzohet si autor.
Hoxha tregoi se ai vetë e ka takuar Dervishajn në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe ku ai ka këmbëngulur mbi atentatin ndaj tij, ndërsa vijoi se goditja e fundit e drejtësisë ndaj tij është një përpjekje për “asgjësimin” e grupit të Dervishajt dhe prerjen e financimeve të tij.
Sakaq, Hoxha zbuloi një episod ku SPAK ka shkuar në banesën e Dervishajt në Durrës dhe ka gjetur aty vetëm nënën e tij 73-vjeçare e cila i ka lidhur ata zyrtarët e BKH-së dhe SPAK me Dervishajn i cili ndodhej në Dubai, ku ky i fundit ka kërkuar vendimin për arrestimin dhe se pse nuk ka hetime për atentatin e kryer ndaj tij.
“Kemi dhe plagosjen e e Plarent Dervishajt, në atë atentat duken dy autorë me kallashnikov që hapin zjarr. Sot jemi në fazën ku SPAK ka deklaruar se ka zbuluar autorët e vrasjes së atentatit ku humbi jetën Andi Maloku, shoferit të prokurorit, për këtë ngjarje akuzohet Plarent Dervishaj, i cili është në kërkim. U arrestua në Emiratet e Bashkuara dhe u la i lirë, unë e kam takuar në Dubai para disa muajsh kur ishte i lirë. Sigurisht që ai këmbëngulte mbi autorët e ngjarjes së parë. Goditja e fundit duket si një përpjekje e drejtësisë për të asgjësuar atë që njihet si grupi i Plarent Dervishajt. Janë arrestuar njerëz të afërm me të. Dashur pa dashur kjo goditje e SPAK kërkon të presë financimet e Dervishajt dhe të neutralizojë njohjet e tij.
Ditën pas operacionit SPAK ka shkuar në banesën e Plarent Dervishajt në Durrës dhe ka gjetur nënë ne tij 73-vjeçare të vetme e cila është trembur. Ka qenë BKH dhe forcat RENEA dhe ajo ka folur me të birin, ku Dervishaj ka folur me oficerin e BKH-së. Njerëzit që duhet ta arrestonin atë flasin me të direkt. Ai i pyet me çfarë vendimi kanë ardhur dhe ata e kanë treguar. Ai u ka kërkuar pse nuk sulmojnë se kush e ka bërë atentatin ndaj tij. Goditja e Plarent Dervishajt është një goditje me sfond politik. Ai është goditur për herë të parë para zgjedhjeve parlamentare dhe po goditet tani para zgjedhjeve lokale. Unë uroj të jetë thjesht rastësi dhe të mos kenë lidhje. SPAK duhet të zbulojë se kush është përfshirë në atentatin ndaj Dervishajt, të cilët më rezultojnë me lidhje shumë të forta politike” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post