Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka komentuar ngritjen e SPAK-ut. Pyetur nëse ka besim që këta prokurorë kanë integritetin e duhur për të hetuar zyrtarë të korruptuar ndoshta kryeministrin, presidentin apo dhe kryetarë të partive, Kryemadhi tha:
“Ajo që mendoj unë është se sistemi i bën individët që edhe po mos të kenë integritet të zbatojnë ligjin dhe gjykatësi më i mirë është populli, është opinioni publik që i gjykon njerëzit edhe pse me perceptim dhe herë pas here dhe me propagandë të madhe por ajo që dua të theksoj është se unë shpresoj që institucioni i SPAK-ut të krijojë një hapje po themi ose një ringjallje te besimit, sepse të mos harrojmë që shqiptarët kur u miratua reforma në drejtësi, 90% e tyre prisnin vendosjen e drejtësisë. Por sot janë më të zhgënjyerit dhe vetë ato institucione që kanë bërë sondazhe para reformës në drejtësi dhe tashmë janë ato që e kanë hedhur poshtë dhe thonë që njerëzit nuk besojnë më te reforma në drejtësi.
SPAK-u ka për detyrë që t’u japë zgjidhje dosjeve që rrinë dhe flenë në Prokurori, duke filluar që nga dosjet e koncesioneve mendoj që janë shumë të rëndësishme, apo edhe ato korruptive të shumë shtetarëve. Mendoj që në momentin që SPAK-u do të bëhet pjesë e jetës politike, sigurisht që besimi për ta do të bëhet zero. Unë nuk mendoj që ky institucion do të ngatërrohet, sepse do t’iu kushtojë vetë atyre më shumë se kujtdo tjetër. Por ajo që mendoj është që qytetarët shqiptarë mendojnë që nëpërmjet këtij institucioni të lulëzojë ekonomia shqiptare, shkollat, arsimi e kështu më radhë.
Besoj që do të bëjnë diçka, në radhë të parë për veten dhe integritetin e tyre, sepse mendoj që subkoshienca menjëherë del shumë më lart sesa ajo që mund të themi e momentit. Sepse çdo njeri dhe prokuror që është aty do të ketë shumë dëshirë që të eci përpara në karrierën e tij, të jetë i pranueshëm dhe i pëlqyeshëm nga opinioni publik, në kuptimin e sjelljes së tij ligjore dhe korrekte. Nuk mendoj që secili nga ata do t’u shërbejë partive politike, sepse partitë politike ikin dhe vijnë, politikanët e kanë shansin për t’u konsumuar shumë më shpejt sesa një prokuror dhe një gjyqtar. Dhe të mos harrojmë që është një proces që dashje pa dashje politika ka marrë në qafë shumë prokurorë dhe shumë gjyqtarë që sot për hir të së vërtetës përballen me probleme të së shkuarës së tyre.”
Diskutime rreth kësaj post