Nga Pëllumb Kulla
Në kalendarët e historisë së shqiptarëve ka plot ditë të tjera shumë më të përgjakshme se 21 janari, por kjo e janarit, përveç gjakut ka në ballë edhe turpin, ngaqë shënohet në kalendarin e bardhë të të ashtuquajturës demokraci brenda kornizës së BE-së dhe NATO-s.
Ishte i rëndë dhe i turpshëm 21 janari i 2011, por gjithsesi më pak i rëndë dhe më pak i turpshëm se këta dy, të 2015 dhe 2016!
Para pesë vjetësh vrasësit ishin prepotentë, të paprekshëm. Ata vranë katër vetë teksa po mbanin duart në xhepa dhe tani që njohim karakterin e pushtetit të tyre, ai akt kriminal, thjesht, u shtohet historive të përgjakura qeverisëse në arkivat e njerëzimit. Ajo histori e tyre vrastare pasurohet me faktin se patën dy vjet e gjysmë kohë, që formalisht ta mbyllnin kapitullin me gjyqe të stisur dhe me fajtorë nga kundërshtarët që po u rrezikonin tua shqitnin kulltuqet nga bythët.
Nuk e bënë dot… Kësisoj ishin gati të mirëkuptuar, edhe kur I soditnim tek fshihnin gjurmët e krimit me shuarjet e filmimeve, ndërrimet e tytave, injorimet e prokurorëve…
Edhe 21 janari i vjetshëm, bile, ishte më i kuptueshëm dhe më pak i turpshëm se ky i sivjetmi! Sivjet, 21 janari ulurin dhe çirret! Pritet sërish të mbulohen hipokritikisht me lule njollat e gjakut të përfytyruar në vendet ku u gjendën shtrirë ata të vrarët me duart në xhepa…
Dhe do të dërdëlliten premtimet e reformës në drejtësi… Kjo përralla me reformë, do t’u shtohet luleve sivjet…
Ju kam dhjerë reformën!
Ju kam dhjerë konsensusin, ekspertët, amendamentet për Venecien, vetë Venecien dhe përpjekjet e ambasadorit amerikan! Premtoni alpet, kur nuk ngjisni dot një pirg dheu!
Nuk ka reformë më të thjeshtë se sa kjo e juaja:
Formuloni një akuzë për 21 janarin dhe shpjereni në gjykimin e Llallës, Venecies, Brukselit dhe Uashingtonit! Ose dorëzoni për hetim dy akuza të kundërta: një të kësaj qeverie për të shkuarën dhe një të qeverisë të shkuar për këtë të sotmen! Lërini listat me Rrugë Kombi, me Gërdec dhe me naftën e Millosheviçit! Ndaluni tek njëra! Përqendrohuni veç tek njëri nga turpet e kësaj gjenerate politikanësh! Qëroni dhe kthjelloni 21 janarin 2011!
Dhe ta shikoni sa e thjeshtë është reforma juaj e famshme e drejtësisë! Jepini paqë pikëllimit të 21 janarit dhe do ta shikoni se reforma është bërë vetvetiu!
Se ai 21 janar, e ka një fajtor.
Dhe ai fajtor, daçi besoni, daçi mos besoni, ai nuk jam unë! Prandaj kam kaq vrer, kaq përbuzje dhe mushkëri që të ulurij që këtej: ju kam dhjerë mu në reformë! Dëgjuat?
Diskutime rreth kësaj post