Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaron se rezultati i 14 Majit për demokratët, ka ardhur si pasojë e mungesës së alternativës nga opozita dhe të debateve e betejave brenda PD, në një vit e gjysmë.
Ajo theksoi se PD duhet të hapet e të ringrihet, pasi votat që morën nga demokratët tregojnë që ato janë aty për t’i mbështetur.
“Me shumë trishtim, kam qenë ndër të parat që ka reaguar. Kam thënë që për këtë rezultat duhet të shohim nga vetja dhe të kuptojmë se përse PD ka të njëjtën pamje në hartë si në një palë zgjedhje që ne nuk morëm pjesë fare. Besoj që kushdo e ka parë me trishtim e një sens përgjegjshmërie se ç’duhet të bëjmë që kjo të mos përsëritet në 2025 dhe të mos përsërisim gabimet e së shkuarës”, tha Tabaku.
Sa i përket humbjes në Shkodër, bastion i PD, deputetja e PD tha se ka shumë arsye, në Shkodër e përgjithësi.
“Në një vit e gjysmë debat PD është dëmtuar shumë. Gjuha e përdorur ndaj njëri- tjetrit nuk është alternativë. Kishte edhe mungesë alternative që na solli në këtë rezultat. Ishte gjuha ajo që na ndaloi të kishim një bashkim e të dilnim me një kandidat të vetëm. Shkodra ishte rast i veçantë sepse nuk kishte kandidat nga pala tjetër. Duhet ta shohim si refuzim për të votuar alternativën e opozitës”, u shpreh ajo.
Po ku gaboi lidershipi i PD në këto zgjedhje? Tabaku thotë se “ne u fokusuam tek kundërshtia jo tek idetë”.
“300 mijë shqiptarë, ose 25 deputetë më pak është rezultati më 2021. Refuzim i një pjese të shoqërisë që edhe për shkak të rrëmujës e zhurmës së bërë për 1 viti e gjysmë dhe mungesës së alternativës nuk na dhanë besimin. Ne u fokusuam tek kundërshtia jo tek idetë.
Kemi lënë hapësirë edhe në terren. Së treti mendoj që pjesa jonë e opozitës bëri përpjekje maksimale për të pasur kandidatë të përbashkët në terren. Megjithatë besoj që PD mund të ndryshojë Shqipërinë, për atë që përfaqëson.
PD është aty, është e gjallë. PD zyrtarisht pati paqartësi edhe për vendimmarrje si do shkohej në zgjedhje, u morën mbi 100 mijë vota që tregon se demokratët janë aty dhe ne duhet të ringrihemi.
Duhet të hapim PD. Duhet të lëvizim nga ngërçi i vazhdueshëm që flasim për veten dhe njëri-tjetrin, duhet të flasim për njerëzit që kanë halle ndaj po largohen“, tha Tabaku.
Diskutime rreth kësaj post