Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka sulmuar dhe akuzuar dje kryeministrin Edi Rama, duke e etiketuar atë si autori i asaj që e quan masakër me prokurimet publike, që ka karakterizuar të gjithë qeverisjen e tij në dy mandatet e para. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zonja Tabaku e cilësoi ditën e djeshme kryeministrin Rama mashtrues kronik, ndërsa theksoi në 8 vite qeverisje socialiste, shefi i qeverisë, ka bërë masakër me tenderat dhe ka varfëruar qytetarët shqiptarë.
“Filozofia dhe logjika si ka funksionuar Edi Rama në 8 vite ka qenë kjo e mëposhtmja. PPP, ligje të shkruara për klientët dhe miqtë e tij, tendera pa garë, shpenzime luksi, oferta të pakërkuara. Shkurt dhe shqip qoka për këdo në enturazhin e tij. Nuk ka njeri që beson se masakrën me prokurimet publike e kuptoi sot”, shkruan ajo.
Më herët, zonja Tabaku akuzoi qeverinë “Rama” se po merr para borxh për projekte korruptive.
“Përdorimi i akteve normative për ndryshimin e buxhetit është kthyer në rregull dhe është kthyer në normalitet. Kjo tregon paaftësinë e qeverisë për të planifikuar, për të menaxhuar financat publike. Projektet kanë lidhje o me një aferë korruptive, o me një aftësi të munguar menaxheriale me një arrogancë të jashtëzakonshme në qeverisje. Ju përmendët Unazën e Re të Tiranës, që është një projekt korruptiv. Tre herë në mënyrë të njëpasnjëshme janë rritur kostot. Përmendët ujësjellësat, teatrin, edhe kjo është përsëri e njëjta çështje. Nuk janë çështje prioritare, nuk ishte prioritare prishja e teatrit. Çështja e ujësjellësave, një keqmenaxhim i jashtëzakonshëm, punësim militantësh, rritje e çmimit të ujit, pa ofruar cilësinë e ujit. Projektet ose nuk janë prioritare, ose ka lidhje me probleme të qeverisë për të realizuar projektet ashtu siç duheshin bërë”, nënvizoi deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Diskutime rreth kësaj post